Amerika e madhe përsëri: Çdo të thotë për botën?

0
63

Nga Ilir Kalemaj

Nuk ka dyshim që ekonomia amerikane me vlerë mbi 29 trilionë dollarë dhe me rritje të qëndrueshme që i afrohet 3 përqindëshit në vit, ngelet e pakonkurueshme në nivel global. Megjithatë, ekonomia qe dhe arsyeja kryesore pse presidenti tashmë i zgjedhur Donald Trump arriti të korrte një fitorë të përmasave historike. Jo vetëm fitoi bindshëm në numër votuesish dhe mori të shtatë shtetet e lëkundura që do të vendosnin zgjedhjet por partia republikane mbajti shumicën në dhomën e përfaqëuesve, fitoi Senatin, si dhe garën për guvernatorë. Shto këtu dhe një gjykatë supreme me një shumicë të qartë orientimi konservator dhe presidenti i ri që do ta ketë të fundit mandat, ka një carte blanche për të orientuar politikat kah premtimeve elektorale.

Simptoma të një ekonomie që ka lënë të pakënaqur shumicën e amerikanëve që kërkuan dhe votuan ndryshimin varionin nga pabarazia ekonomike që është thelluar, inflacioni ende i lartë për amerikanin mesatar, rritja e varfërisë, deri te borxhi që ka arritur kufijtë e paimagjinueshëm të 35 trilionë dollarëve. Reduktimi i fortë i deficitit dhe borxhit ishin dhe nga premtimet kryesore të fushatës me Elon Mask dhe Ramasuamin që do të bashkë-drejtojnë një departament që synon reduktimin me të paktën 500 miliardë të shpenzimeve buxhetore.

Nga ana tjetër pasiguria e kufijve, rritja e pakontrolluar e emigracionit të paligjshëm, si dhe aspektet kulturore, vençarisht përhapja e pakontrolluar e WOKE dhe “teorisë kritike të racës” që përmbledhtazi njihen si një agjendë ultra-liberale që synon indoktrinimin përmes edukimit. Kjo pjesë e fundit ka filluar të ketë dhe një shtrirje globale e reflektuar dhe te imponimi i koncepteve ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’ që ka fituar terren madje edhe në nahijen tonë ballkanike.

Nga ana tjetër, orientimi i politikës së jashtme kah interesit kombëtar dhe reflektimi i një mendësie të re të përshtatur me realitetet e reja gjeopolitike është një rikthim i tezave realiste në politikën amerikane por edhe botërore. Politika e jashtme amerikane ka disa trende që janë shquar qysh herët në krijimin e republikës. Një e tillë është ajo izolacioniste e reflektuar nga thënia e një nga presidentëve të parë, John Quincy Adams: “Amerika nuk shkon jashtë në kërkim të monstrave për t’i shkatërruar”. Por po nga fillimi kemi dhe politika me sfond intervencionist si Doktrina Monroe (e emërtuar sipas një tjetër presidenti të hershëm amerikan), e cila ka në thelb ruajtjen e interesit të SHBA-ve vetëm në Amerikën Veriore dhe Jugore, pa u ngatërruar dhe duke iu qëndruar larg luftërave të largëta dhe komplekse, vençarisht në teatrin evropian por natyrisht duke kërkuar nga këta të fundit mos të përziheshin në ‘oborrin e pasëm’ të SHBA që për ta është sfera e tyre e influencës. Pra një linjë të realpolitikës që e gjejmë më pas prezente dhe në shekullin e 21, duke pasur si përfaqësuesit më të spikatur Theodor Ruzveltin dhe Niksonin.

Ndërsa presidentë të tjerë amerikanë, duke filluar me Uillsonin, kanë qenë mjaft më ndërhyrës dhe kërkues për rolin që duhet të kenë dhe luajnë SHBA-të në skakierën ndërkombëtare në përputhje me peshën dhe detyrimin që kanë, në përputhje me atë që shpesh është quajtur dhe eksepcionalizmi amerikan. Uillson në fakt ka qenë ideator i asaj që ka qenë dhe linja më konseguente e politikës së jashtme amerikane e bazuar në koncepte si siguria kolektive, parimet liberale udhëheqëse, ndërhyrjen amerikane etj. Duket qartë që ndërsa presidentë republikanë dhe demokratë si për shembull Bill Klinton dhe dy Bush-ët kanë ndjekur një linjë uillsoniane në politikën e jashtme, Tramp është më i prirur për të ndjekur linjën e T. Ruzveltit apo Niksonit.

Kjo natyrisht reflekton dhe realitetin e sotëm global. Në fakt bota moderne përgjithësisht ka njohur sisteme të balancës së fuqisë, qoftë kjo e karakterit shumë-polar si sistemi i ‘Kongesit të Vjenës’ apo ‘Koncertit të Evropës’ nga 1815 deri në 1914 me fillimin e luftës së parë botërore apo bota bipolare e luftës së ftohtë me dy superfuqi si SHBA dhe Bashkimi Sovjetik që i jepnin konturet në të cilat fuqitë e tjera dhe satelitët pozicionoheshin respektivisht. Më pas në vitet 90-të kemi një sistem unipolar dhe diktatin e SHBA-së ndërsa ndodhte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, fundin e Traktatit të Varshavës, zgjerimin e NATOs dhe një BE që vazhdoi njëherazi thellimin dhe zgjerimin.
Por tashmë në dekadën e tretë të shekullit të 21, bota duket përherë dhe më e pasigurtë. Qartazi nuk kemi më asnjë nga tre format e mësipërme ndonëse primati i Amerikës në ekonomi, diversifikim të burimeve, shpenzime ushtarake dhe ndikim përmes ‘fuqisë së butë’ e bën këtë një primus inter partes në një botë pa një rend të përcaktuar qartë. Mendimtarë si Amitav Acharya e ka quajtur botën e sotme një “rend botëror multiplex” ku së pari kemi mungesë te hegjemonisë apo shumë-polaritetit. Gjithashtu një botë shumë më komplekse ku nuk janë vetëm dominancat dhe faktorët ekonomikë që vlejnë, por edhe ato mjedisorë, konsideratat e sigurisë, apo ato të zhvillimit të qëndrueshëm. Një rend i tillë global përfshin një arkitekturë dinamike dhe shumënivelëshe të qeverisjes globale të përbërë nga shtresa globale, rajonale dhe nënkombëtare, secila me institucione, rrjete dhe struktura hibride formale dhe joformale. Në një rend të tillë, diversiteti kulturor, ideologjik dhe politik siguron shtigje të rinovuara drejt stabilitetit, paqes dhe prosperitetit.

Një SHBA e fortë, dinamike, konkurruese, e aftë për t’u imponuar në një realitet ku projekte konkurruese si BRICS apo projekti kinez “Brez dhe Rrugë” po përpiqen ta sfidojnë, me një Bashkim Evropian që ka humbur shumë nga fuqia konkurruese në nivel global dhe gjashtë muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve europarlamentare ende nuk ka konfirmuar komisionin e ri, është një garanci më shumë. Jo në sensin klasik të pas luftës së dytë botërore me pax americana, por edhe në garancitë e mbrojtjes, sigurisë dhe garantimit të disa vlerave që kanë impakt të fortë kudo në botë. Përjashtim natyrisht nuk bën as Ballkani Perëndimor dhe mëhalla jonë shqiptare ku çështje që lidhen nga sovraniteti i pakushtëzuar i Kosovës deri te sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit apo garancisë për zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri kanë një pritshmëri jo të vogël kah administratës së radhës në SHBA, si garante të procesit. Çdolloj ndryshimi amplitude që emeton Uashingtoni natyrisht që pritet jo vetëm me kërshëri të natyrshme për kursin e ri por mund të ketë pasoja direkte që mund të sjellin ndryshime të shumëpritura

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here