PD: Rama përgjegjësi i vetëm për dhunën në Londër

Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë në lidhje me dhunën e ushtruar këtë të diel ndaj protestuesve në mitingun që kryeministri Edi Rama mbajti me emigrantët në Londër.

Teksa e konsideron kreun e qeverisë si frikacak dhe antishqiptar, PD thotë se Ramës i duhej policia britanike për t’u mbrojtur nga bashkëatdhetarët. Demokratët shprehen se kryeministri kreu krim të dyfishtë, duke qenë se i përzuri shqiptarët nga vendi i tyre dhe i dhunoi në vendin e adoptuar.

PD deklaron se mercenarët që dhunuan në emër të Ramës janë vetëm masha mjerane të narkoshtetit, teksa sipas kësaj force politike, përgjegjësi i vetëm është Edi Rama.

Kujtojmë se në lidhje me situatën e krijuar sot në Londër, kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike se nxit “të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj.”

Deklaratë e Partisë Demokratike

Edi Rama, me mercenarët e tij dhunoi sot në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, ata që kishin dalë për të ushtruar paqësisht të drejtën e protestës.

Si antishqiptar i vërtetë dhe frikacak i lindur, atij i duhej policia britanike për t’u mbrojtur nga bashkëatdhetarët.
Sot, ai kreu krimin e dyfishtë, pasi i përzuri nga vendi i tyre, i dhunoi në vendin e adoptuar.

Edi Rama do mbetet në analet e turpit të historisë si kryeministri që, pasi i ka përzënë nga vendi, dhunon dhe keqtrajton bashkëkombasit e tij.

Partia Demokratike e dënon me forcë dhunën e ushtruar kundër shqiptarëve të lirë.

Mercenarët që dhunuan në emër të Ramës janë vetëm masha mjerane të narkoshtetit.

Ndërkohë që, përgjegjësi i vetëm, ai që do përgjigjet deri në një për dhunën ndaj qytetarëve shqiptarë dhe britanikë, është Edi Rama.

Ora e fundit të tij dhe narkoshtetit që e kishte marrë me vete në Londër si cirk personal, po afron.

Të martën, në ora 17:00, ftojmë të gjithë shqiptarët në marshimin drejt Tiranës, për t’i dhënë të shtyrën e fundit frikacakut të Surrelit dhe burracakut të Londrës.

Share it :