Detyrim paraqitje për gazetarët, asnjë fjalë për politikanët e Elbasanit që ndihmuan bandat
Një operacion masiv i policisë me qendër në Elbasan ka pasur në shënjestër jo vetëm disa prej emrave të njohur të krimit në këtë qytet, por edhe lidhjet e tyre në gjykata, prokurori, polici, madje edhe në gazetari siç pretendojnë prokurorët e SPAK.
Një ndër emrat që rikthehet sërish në dosjet e SPAK është ai Suel Çelës, që njihet si drejtues i një organizate kriminale partnere me Partinë Socialiste të Elbasanit. Për Suel Çelën ka dëshmi dhe biseda në SKY ECC që e impikojnë për porositjen e vrasjeje në Elbasan, në Tiranë dhe në Belgjikë.
Suel Çela, ose ndryshe Marius Lulaj është aktualisht në arrati. Opozita e ka akuzuar vazhdimisht për presione në fushatën zgjedhore, për lidhjet e ngushta me pushtetin e PS-së dhe për korruptimin e policisë dhe të prokurorisë së qytetit.
Arrestimi i Bujar (Marsel) Shegës dhe ndikimi i tij në Peqin
Një personazh pak i njohur mediatikisht, por shumë i fuqishëm në Elbasan dhe në Peqin u arrestua në Milano me urdhër të SPAK, si pjesë e të njëjtës dosje. Ky person quhet Bujar Shega dhe rezulton të jetë një ndër përfituesit e rregullt të tenderave qindra miliona lekë të pastrimit nga bashkia e Elbasanit, Peqinit dhe e Beratit.
Sipas një denoncimi të një viti më parë, Bujar Shega rezulton të ketë kërcënuar edhe administratorin e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan për të përfituar një tender në rikonstruksionin e godinave. Sipas një raportimi të Ina Media, përfitimet e Bujar Shegës nga tenderat e pushtetit lokal vinin nga lidhjet e tij me Suel Çelën në Elbasan apo me Aqif Rakipin në Peqin.
Goditja e SPAK ndaj Bujar Shegës rezulton t’i ketë hapur rrugën një klani tjetër të Partisë Socialiste në zonën e Peqinit, pas mosmarrëveshjeve që ishin krijuar vitet e fundit.

Një mandat tjetër arresti është firmosur për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ishte ndërkohë në arrest shtëpie për ndihmën që i ka dhënë dy vëllezërve Çopja, drejtues të trafikut ndërkombëtar të drogës me banim në Dubai. Dy vëllezërit Çopja akuzohen për porositjen e një duzinë vrasjesh me porosi ndaj rivalëve të tyre në Elbasan dhe disa qytete të tjera, për trafik droge, pastrim parash, korruptimit të gjyqtarëve, prokurorëve etj.
Përveç se në derën e saj, SPAK ka trokitur edhe në banesat e ish-gjyqtarëve Taulant Tafa dhe Zihni Shahu dhe të ish-prokurorëve.
Masë arresti shtëpiak është dhënë edhe për Blerina Beqirin, avokate e grupit të Suel Çelës.
Ndër emrat e thirrur në SPAK tërhoqën vëmëndjen dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, dy nga personazhet më të zëshëm për dosjet e SKY ECC në kronikën e zezë.
Në mënyrë të veçantë, Qyno ka spikatur me publikimin e bisedave në aplikacionin SKY, që dyshohet se nuk ishin zbardhur ende nga prokurorët e SPAK. Disa lajme ekskluzive në lidhje me bisedat e banditëve të Elbasanit në SKY ECC krijuan frustrim në radhët e prokurëve, që me një vendim të paprecedent urdhëruan izolimin e tij në godinën e prokurorisë dhe më pas bastisjen e shtëpisë së gazetarit natën e 13 dhjetorit 2023.
Mbeten për t’u parë provat që ka SPAK ndaj Elton Qynos dhe Artan Hoxhës, që tashmë janë vendosur në masë sigurie “detyrim paraqitje”, si pjesë e të njëjtës dosje ku rezultojnë emra të rrezikshëm të krimit në Elbasan.
Vija e kuqe e SPAK, lidhja e krimit me politikën
Nga urdhër-arrestet që ka lëshuar SPAK krijohet ideja se ka një përpjekje për të çrrënjosur krimin nga qyteti i Elbasanit, duke përfshirë në hetime edhe ushtarët e maskuar nën petkun e gjyqtarit, prokurorit, policit etj.
Vetëm se panoramës që jep dosja e SPAK i mungon një anë shumë e rëndësishme e realitetit; mbështetja politike që pati krimi.
Vetëm duke pasur mbrojtje politike nga Partia Socialiste e Elbasanit, bandat u fuqizuan deri në pikën që arritën të rekrutojnë gjykatës, prokurorë dhe policë në radhët e tyre. Vetëm duke pasur mbrojtje politike u eleminuan rivalët dhe krimi u ushqye me paratë e tenderave të bashkisë. Vetëm duke pasur mbrojtje politike, krimi mori frenat e fushatës zgjedhore 4 vite më parë, që rezultoi me një person të vrarë.
Por kjo anë e realitetit mungon në hetimin e SPAK. Ndaj në dosjen, që ende nuk është publikuar, afërmendsh mund të gjesh lidhjet e gazetarisë me krimin, por nuk del asgjë për lidhjet e krimit me politikanën./Lapsi.al