Lëvizja BASHKË ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e madhe të pensionistëve të mërkurën e 27 nëntorit përballë Kryeministrisë.
Qori bën me dije se milionat qeveria e korruptuar e Edi Ramës i jep për oligarkët kurse pensionistët në fund marrin “Noc Rrokun”.
“PROTESTA E MADHE E PENSIONISTËVE
Bonusi hileqar i Edi Ramës nuk i jep zgjidhje varfërisë së thellë të pensionistëve shqiptarë. Përmes këtij bonusi vetëm një muaj në vit pensionistët shqiptarë do të kenë mundësi të marrin një pension që e kalon pragun e minimumit jetik. Për njëmbëdhjetë muajt e tjerë qeveria parashikon që pensionistët të vazhdojnë të rrojnë në zgrip të urisë ose të mbijetojnë prej solidaritetit familjar
Kjo situatë revolton çdo pensionist dhe indinjon çdo qytetar të ndershëm të vendit tonë. Shqipëria e arritjeve imagjinare të qeverisë nuk ka lidhje me Shqipërinë e vërtetë të vuajtjeve dhe poshtërimit të përditshëm që ndjejnë shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptarë. Vendi ynë mbetet i fundit në Ballkan e më gjerë për nivelin e pensioneve.
Shqipërinë tonë e kanë uzurpuar një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh të pangopshëm. Për oligarkët ka qindra milionë euro koncesione. Ka subvencione dhe ligje të posaçme. Ka favore fiskale dhe tolerim për mospagim taksash. Ka edhe shkelje syri për informalitetin në punë e paga. Ndërkohë që për pensionistët dhe shumicën dërrmuese të shoqërisë qeveria e korruptuar e një kryeministri edhe më të korruptuar ka vetëm një gjë: “Noc Rrokun”.
Në këto kushte është e domosdoshme që pensionistët të bashkohen sërish në protestë. Të ngrenë zërin me mijëra përpara mureve të pushtetit të shurdhër e grabitqar.
Lëvizja BASHKË dhe Pensionistët Bashkë ftojnë të gjithë pensionistët dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës sonë të mërkurën më 27 nëntor përpara kryeministrisë për të kërkuar pensione dinjitoze dhe vendosjen e minimumit jetik. BASHKË!”, shkruan Lëvizja BASHKË.