Associated Press
Një gjykatë shqiptare liroi të mërkurën nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës.
Gjykata Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që mbulon çështjet që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe politikanë, anuloi urdhrin për arrest shtëpiak ndaj Berishës, të lëshuar gati një vit më parë, pa dhënë ndonjë arsye.Në dhjetor, imuniteti parlamentar i Berishës u hoq dhe ai u vendos në arrest shtëpiak pasi kishte shkelur një urdhër të mëparshëm për t’u paraqitur në gjykatë çdo dy javë. Ai gjithashtu u ndalua të udhëtonte jashtë vendit, por kjo urdhëresë u anulua javën e kaluar nga Gjykata Kushtetuese.
Gjatë periudhës së arrestit shtëpiak, Berisha, 80 vjeç, qëndroi në apartamentin e tij në qendër të Tiranës. Megjithëse i ishte ndaluar të komunikonte me të tjerë përveç familjarëve dhe avokatëve të tij, çdo mbrëmje ai mbante fjalime për grupe të vogla mbështetësish që mblidheshin jashtë ndërtesës së tij.
Pengimi i Berishës nga komunikimi dhe prania fizike për të udhëhequr partinë e tij ishte një çështje e përditshme në politikën shqiptare, pasi ai është lideri i partisë kryesore opozitare. Një zgjedhje parlamentare do të mbahet pranverën e ardhshme.
Anëtarët e Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tyre në një koalicion opozitar kanë mbajtur protesta për arrestimet e liderit të tyre Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta në raste të veçanta korrupsioni, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.
Opozita akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon që ajo të zëvendësohet nga një kabinet kujdestar teknokrat para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.