Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi të mërkurën se ka dërguar për gjykim rastin e tenderit për rikonstruksionin e disa Komisariateve të policisë, ku nën akuzë janë përfshirë, deputeti socialist Plarent Ndreca, ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, në kohën kur drejtohej nga zoti Sandër Lleshaj, dhe 15 ish zyrtarë të kësaj ministrie, të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Prokuroria bën të ditur se “hetimet kanë zbuluar se ata kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike”. Bëhet fjalë për një kontratë për “Studimin dhe Projektimin e disa objekteve të Policisë së Shtetit”, katër komisariatesh në Mirditë, Vlorë, Pogradec dhe atij numër 4 në kryeqytet. Kontrata kishte një vlerë prej pak më shumë se 54 milionë lekësh (pa TVSH), por sipas Prokurorisë së Posaçme “në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion”.
Hetimi ka zbuluar shkelje në procedurat e ndjekura. “Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr nga Plarent Ndreca, në funksionin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, i cili ka qënë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit”, vë në dukje Prokuroria sipas së cilës, anëtarë të njësisë së Prokurorimit Publik, të Komisionit të Vlreësimit të Ofertave si dhe të shqyrtimit të ankesave “kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore”.
Nga ana tjetër “një komision për marrjen në dorëzim të projektit, ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar”. Prokuroria shpjegon se pagesa për kompaninë fituese nuk e ka marrë vlerën e projektit “ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit”.
Zoti Ndreca u bë pjesë e parlamentit në janar të këtij viti, duke marrë mandatin e ndërprerë të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, po ashtu nën disa akuza nga Prokuroria e Posaçme dhe i larguar nga vendi. Atij ju besua roli i nënkryetarit të Komisionit hetimor për koncensionet në Shëndetësi, ku u dallua për përplasje të herëpashershme me drejtuesen demokrate Albana Vokshi.
Zoti Ndreca ka zgjedhur të mos komentojë deri më tani akuzën e ngritur ndaj tij, duke mos ju përgjigjur pyetjeve që i kanë drejtuar gazetarët. Ai nuk u paraqit as vetë në Prokurori, por dërgoi një avokat mbrojtës, të cilit iu komunikua akuza për deputetin socialist./ VOA/