KLSH: Inceneratori i Tiranës i mori paratë më shpejt nga të gjitha PPP-të

0
127

Aktualisht janë rreth 15 kontrata të partneritetit Publik -Privat të cilat menaxhohen nga privatët me financime shtetërore. Sipas hulumtimit të KLSH-së mbi pagesat buxhetore ndaj këtyre kontratave rezulton se, koncesioni i inceneratorit të Tiranës ka disbursimin më të shpejtë nga fondet buxhetore në raport me kontratat e tjera.

Nga analiza e ecurisë së realizimit të shpenzimeve për kontratat koncesionare në raportin e mes-vitit konstatohet se kontrata “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat” për 5 mujorin 2023 është realizuar 9 %; “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit” realizimi është 18 % ndërsa për “Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës” nuk është kryer asnjë pagesë, ndërkohë që për koncesionin e landfillit të Tiranës raportohet se janë paguar 70 % e totalit të pagesave.

Të gjitha sa më sipër, shfaqin nevojën e rritjes së vëmendjes së institucioneve shtetërore dhe të autoriteteve kontraktore për një planifikim të studiuar dhe monitorimin të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm të shpenzimeve gjatë zbatimit të kontratave koncesionare” referoi KLSH-ja për Kuvendin.

Pagesat e rregullta ndaj inceneratorit të Tiranës një objekt që tashmë nuk ekziston, i klasifikuar për korrupsion të shumëfishtë nga SPAK kanë sfiduar ligjet dhe mbi të gjitha moralin e qeverisjes.

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu vuri në dukje se pagesat ndaj kontratave koncesionare po dalin jashtë kontrollit.

Koncesioni i sterilizimit, i cili ofron shërbimin e furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile dhe furnizim me materiale mjekësore sterile ka marrë financime për vitin 2023 gjithsej në vlerën prej 1,750 milion lekë, 100 % të planifikimit vjetor, i cili është parashikuar në rritje edhe për vitet 2024 dhe 2025.

Nga auditimi i pagesave nga fillimi i koncesionit (2016) dhe deri në vitin 2023 rezulton se është shpenzuar 97 % e fondit limit të përcaktuar në Aneksin 1, Kapitulli iV.1.1 të kontratës koncesionare në një kohë që janë edhe dy vjet për mbylljen e kontratës. Sipas kontratës, nga fondi limit kanë ngelur edhe 384 milion lekë për dy vite në një kohë që shpenzimet mesatare vjetore të viteve të fundit janë mbi 1,700 milion lekë

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e Kontratës Koncesionare “Për ofrimin e hemodializës”, ka rezultuar se, pagesat në vlerën prej 849 milion lekë janë kryer mbi bazë e projeksionit dhe mbi projeksionit sipas rajoneve. Për vitin 2023, koncesionari është paguar për shërbim të pakryer dhe mbi projeksionin mujor për 9,241 raste nën projeksion dhe 1,557 raste mbi projeksion, në shumën gjithsej 103.5 milion lekë.

Për kontratën koncesionare të laboratorëve, sipas FSDKSH në vitin 2023 janë shpenzuar 1,725 milion lekë (1,719 milion lekë paraqitur nga MF, pra me një diferencë 6 milion lekë më pak), 112 milion lekë më shumë se në vitin 2022.

Referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhim fondesh buxhetore. Nga analiza e të dhënave mbi numrin e ekzaminimeve dhe shpenzimeve të kryera rezulton se ka prirje për rritjen e përvitshme të ekzaminimeve me tarifa të larta, kundrejt atyre me tarifa të ulëta./ Monitor.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here