Pikëpyetjet e portit në Durrës/ Balluku sulmon mediat gjermane

Me një reagim të sforcuar që ngjan me fletërrufetë e kohës kur Shqipëria ishte fanar ndriçues që ruhej nga armiqtë e jashtëm, Ministrja e Energjitikës Belinda Balluku zgjodhi t’i përgjigjet dyshimeve se porti aktual i Durrësit po menaxhohet nga një kompanie fiktive me qendër në Kroaci, pronari i së cilës përflitet për lidhje me vendet e Amerikës Latine.

Sipas Ballukut, mediat gjermane po përdoren nga opozita, e cila ka paralajmëruar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shpenzimet marramendëse që duhet të paguajnë shqiptarët për portin e ri në Porto Romano, pasi porti i vjetër iu dha falas biznesmenit arab Mohamet Alabbar.

Në vend se të sqarojë se pse nuk e mbajti premtimin sipas së cilit shqiptarët nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për portin e ri, Ballukut flet për sulme që vijnë nga ata që nuk i duan të mirën Shqipërisë.

“Lufta kundër projektit strategjik të ⚓️portit të ri të 📍Durrësit është luftë kundër vendosjes së 🇦🇱Shqipërisë në hartën e Mesdheut si një pikë e re e rrjetit të tregtisë navale.

Është luftë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale të projektit të portit të ri, ku në Prishtinë dhe Shkup do të ndërtohen dy porte të thata të lidhura me Durrësin.

Është luftë kundër hekurudhës Durrës – Prishtinë dhe Korridorit 8 që pa portin e ri të Durrësit nuk bëjnë asnjë sens. Është luftë kundër sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit, që me krahun ushtarak të NATO-s në projektin e portit të ri të Durrësit ngrihet në një nivel tjetër” shkruan Balluku në reagimin e saj.

Sipas saj, media gjermane që ngriti dyshime për kompaninë kroate që ka marrë në menaxhim portin e Durrësit i ka shërbyer opozitës shqiptare.

“Sot u ka mbetur vetëm balta që edhe e eksportojnë jashtë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu. Por sa më shumë baltë të hedhin, aq më thellë ajo baltë do t’i përpijë pranverën që vjen, kur do ta marrin përgjigjen jo me baltë, po me votat e shqiptarëve” shkruan Balluku.

E përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje asaj që po ndodh në portin e Durrësit përmes disa artikujsh. Në shkrimin e plotë që botoi lapsi.al hidhen dyshime për afera korrupstive si për projektin e ri që pritet të ndërtohet ashtu edhe për largimin e një kompanie gjermane.

“Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale” ishte titulli i Focus Online ku pronarët e kompanisë që menaxhojnë sot portin e Durrësit përfliten për lidhje me Ekuadorin dhe Kolumbinë.

“Zbulimet marrin përmasa globale, pasi pronarët e Schapha d.o.o. kanë lidhje me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Burime të ndryshme shprehin shqetësime se këto vende mund të përdoren si pika strategjike për rrugët e trafikut të drogës, duke përfshirë Shqipërinë, e cila tashmë monitorohet nga DEA” raportoi Focus Online.

Në reagimin e saj, Balluku ka shmangur përgjigjet për akuzat konkrete, me shpresë se opozita do të tërhiqet nga kërkesa për një hetim parlamentar, apo se media gjermane do ta lërë me kaq hulumtimin për menaxhimin e ri të portit të Durrësit.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *