Industria dhe shërbimet përkeqësuan treguesin e besimit në ekonomi në nëntor

0
126

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 0.4 pikë në nëntor. Megjithatë, sipas bankës së Shqipërisë, ky tregues vijon të qëndrojë në nivele të larta historike, rreth 13 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia u përcaktua kryesisht nga dobësimi i besimit në sektorin e shërbimeve.

Në një masë më të vogël rënëse ndikoi edhe rënia e besimit në sektorin e industrisë. Nga ana tjetër, rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, të tregtisë dhe e besimit konsumator kontribuuan pozitivisht, duke zbutur rënien në treguesin agregat.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 0.9 pikë përqindje në muajin nëntor. Niveli i tij qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u ndikua nga vlerësimet më pesimiste për kontratat porositës të bizneseve. Situata e prodhimit industrial aktual u vlerësua më pozitivisht duke zbutur ndikimin rënës të komponentit të parë. Bizneset vlerësojnë në rritje gjendjen e inventarëve. Pritjet për çmimet në të ardhmen nuk kanë ndryshuar krahasuar me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 6.1 pikë përqindje në nëntor, por niveli i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike me rreth 17 pikë përqindje. Në rënie kontribuuan vlerësimet në rënie të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për nivelin e punësimit dhe ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.1 pikë përqindje në nëntor. Niveli i tij vijon të qëndrojë rreth 28 pikë mbi mesataren historike. Rritja u drejtua kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Gjithashtu, kontratat porositëse u vlerësuan me rritje këtë muaj. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan prirjen rënëse.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 2 pikë përqindje në muajin nëntor, duke qëndruar rreth 13 pikë mbi mesataren historike. Në rritje ndikoi kryesisht vlerësimi më optimist për ecurinë aktuale të biznesit. Pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen kanë vijuar të qëndrojnë shumë pranë nivelit të muajit të kaluar. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar me rënie këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.3 pikë përqindje në muajin nëntor, duke e çuar nivelin e treguesit 4.3 pikë mbi mesataren historike. Përmirësimi i treguesit ka reflektuar kryesisht pritjet më optimiste për situatën e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen dhe për blerjet në shuma të mëdha. Edhe pritjet për gjendjen e tyre financiare janë vlerësuar me rritje të lehtë këtë muaj. Pritjet e konsumatorëve për çmimet në të ardhmen janë rritur në muajin nëntor./ Monitor.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here