Zgjedhjet parlamentare në pranverën e ardhshme do të mbahen në datën 11 Maj të vitit 2025. Kjo është datë që ka dekretuar Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.” – thuhet në dekretin e Presidentit.
Kreu i shtetit zhvilloi takime në Presidencë me të gjithë aktorët politikë, por u refuzua nga opozita, duke i konsideruar si farsë ato konsultime, pasi sipas saj, Begaj e kishte caktuar datën e zgjedhjeve me urdhër nga kryeministri Edi Rama.
Nga konsultimet me Begajn, Partia Socialiste e cila përfaqësohej nga Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi propozoi 11 Majin si datë të zgjedhjeve.
Po ashtu e njëjta datë u propozua edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili po ashtu konsiderohet si një “vegël” e Qeverisë.
Ndërsa partitë e vogla, pas takimit që patën me Presidentin Bajram Begaj, propozuan 4 Majin, si datë për të zhvilluar zgjedhjet.
E duket se koha i dha të drejtë Partisë Demokratike, pasi Begaj dekretoi të njëjtën datë të propozuar nga Qeveria.
Por, jo vetëm kaq! Gjatë seancës që u mbajt të martën në Kuvend, zv.kryeministrja Belinda Balluku iu drejtua opozitës se kanë kohë deri më 11 Maj, duke e caktuar vetë ajo datën e zgjedhjeve, pa pritur dekretin e Begajt.
“Keni kohë deri më 11 Maj të vazhdoni me narrativën tuaj anti-shqiptare, të gënjeni në këtë foltore.” – deklaroi Balluku në Kuvend, duke vetëdemaskuar përdorjen e Presidentit të Republikës Bajram Begaj, si një noter i dëshirave të Partisë Socialiste.