Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me drejtuesit e grupeve të punës për Qarkun e Tiranës, ka vënë theksin te gjendja e rëndë ekonomike në vend, duke e cilësuar atë si boshtin kryesor të fushatës së ardhshme.
Berisha kritikoi ashpër politikat e qeverisë, duke theksuar se standardi i jetesës në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm që nga viti 2013. Berisha ka vënë në dukje se ndërsa vendet e tjera të rajonit, si Rumania, kanë pesëfishuar pagat, shqiptarët po përballen me inflacion të lartë dhe të ardhura të pamjaftueshme.
“Në këtë fushatë, boshti qendror, duhet ta kemi secili nga ne të qartë, i fushatës do jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia.
Pse? Sepse jemi në një realitet që tejkalon absolutisht pothuajse çdo lloj imagjinate.
Jemi në një realitet shumë të dhimbshëm.
Jemi në një realitet shkatërrimtar për njerëzit.
Këto ditë po lexoja një gjë shumë trishtuese. Në vitin 2013, ne paguheshim, shqiptarët paguheshin jo vetëm më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe se rumunët dhe bullgarët.
Sot rumunët janë të paktën 5 herë më mirë se në vitin 2013. Dje e lexova. Pesëfishuar rrogat nga viti 2013.
Kur sheh këto, konstaton se asgjë nuk ka më të pamëshirë, më kriminale se kjo që ka ndodhur për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.
Nuk e dija, ua them me sinqeritet, që qeveria rumune nga viti 2013 gjer vitin e kaluar, ka rritur rrogën 5 herë.
Kurse ne i kemi pensionet sot, minimumi 30 përqind më të ulëta se në vitin 2013.
Sot po lexoja, të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni për gjërat bazë është gjer në 9 herë më i lartë se inflacioni mesatar. Pra, inflacioni i mishit, djathit, qumështit, etj, krahasuar me vitin 2022, arrin shifra gjer 9 herë më shumë.
Mirëpo, të gjithë ata që jetojnë me pension, me rroga të ulëta, me ndihmë ekonomike, ato të ardhura u shkojnë për të blerë këto gjëra.
E kuptoni pra se ku është katandisur?
Kjo është shkaku absolut i largimit masiv të shqiptarëve.
Ne e themi dhe e themi të vërtetën se janë një seri shkaqesh, por shkaku i të gjitha shkaqeve është mospasja.
Më kujtohet në vitin 1990, një komshi, e kishte djalin punëtor dhe i thotë i birit nënës së vet, më blej një këmishë. Nëna i thotë nuk kam. Iku dhe u fut në ambasadë.
Sot nuk ka nevojë të futesh në ambasadë, ikën jashtë. Paç fatin tënd, gjej jetën tënde se nuk kam.
Nuk duhet të mendojmë se po këta janë pensionistë, ose këta janë kaq përqind apo aq. Jo, jo. Këta janë dhimbja më e madhe sot, këta janë padrejtësia absolute.
Ne i kemi rritur rrogat 5 dhe 6 herë rrogat e larta. Shqipëria ka rroga 7 mijë euro. Po, po. Rrogat e larta janë rritur, kurse këta janë në një varfëri të frikshme”, u shpreh Berisha.
