Socialistët thonë se askush nuk i detyron dot të dërgojnë në kushtetuese kolegen e tyre
Prej më shumë se dy vitesh, janë shpikur kleçka të ndryshme për të zvarritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës, ndaj opinioni i juristëve të huaj të Komisionit të Venecias u prit me idenë se do t’i jepte fund epërsisë që parlamenti shfaqi në raport me Gjykatën Kushtetuese.
Por tashmë që dokumenti prej 19 faqesh ështëpublik dhe aty ka një opinion konkret për rastin e Olta Xhaçkës, socialistët refuzojnë t’i binden sipas devizës “ne i bëjmë ligjet, ndaj nuk i bindemi ligjeve”.
Në referimin që i bëjnë rastit “Xhaçka”, juristët ndërkombëtarë e thonë shprehimisht se kuvendi është i detyruar t’i bindet Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë për interpretim mandatin e deputetes.
Ky është një interpretim i qartë se Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë kur zhbëri një votim të kuvendit, atë që ndodhi në prill, socialistët votuan kundër interpretimit në gjykatë të mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Sepse në korrik Gjykata vendosi që të “detyrojë” Kuvendin që të rivotojë “pa vonesë” për dërgimin e mandatit të Xhaçkës për interpretim pranë këtij organi.
Të njëjtën gjë e përsërit edhe Komisioni i Venecias, i cili është shprehur qartë për rastin konkret.
“Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë tashmë ka dhënë një aktvendim se Kuvendi ishte i detyruar të dërgonte mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit konkret me Gjykatën Kushtetuese” shkruhet në opinion.
Opinioni i Venecias nuk lë hapësira për interpretime, ndaj menjëherë pas publikimit të dokumentit, opozita thirri “fitore”.
Gazment Bardhi e përshëndeti opinionin, e quajti atë “profesional” dhe e konsideroi si një konfirmim se “qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor”.
Sipas Bardhit, vendimi i Komisionit të Venecias ishte shuplaka më e madhe që ka marrë ndonjëherë një shumicë, që nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar”shkruajti kreu i grupit parlamentar.
Por socialistët preferojnë ta lexojnë ndryshe përgjigjen e juristëve ndërkombëtarë. Disa rreshta të tjerë u japin të drejtë pretendimit të tyre për lirinë që gëzon një deputet në rastin e votimeve në parlament.
“Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetëve është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputetët nuk munden ligjërisht të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar” thuhet në përgjigjet që “Venecia” ka sjellë në Tiranë.
Ky paragraf duket se bie ndesh me vendimin e gjykatës Kushtetuese që i detyron deputetët të votojnë pro, ndërkohë që socialistët nuk duan ta bëjnë këtë.
Ndryshe nga ç’pretendon opozita, ata janë të bindur se kolegia e tyre nuk ishte në konflikt interesi kur bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik për një hotel me 5 yje në Dhërmi. Vetë Xhaçka është mbrojtur duke thënë se në mbledhjen e qeverisë, kur u mor vendimi për të shoqin, ajo mungoi.
Prej dy vitesh tashmë çështja zvarritet në procedurat e kuvendit.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u shpreh se “koha na dha të drejtë”. Në një konferencë për mediat vuri në dukje se opinioni ka dy anë, edhe vendimet e Kushtetueses, por edhe faktin që deputetët nuk i detyron dot të votojnë pro apo kundër një vendimi.
“Komisioni i Venecias vë ekulibrin midis respektit të ndërsjellë, midis nevojës për të pasur të drejtë deputetët për të votuar të lirë dhe deturimin për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës Kushtetuese” tha Bushka.
Akoma më partizane u shfaq Elisa Spiropali që e bëri të qartë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të zbatohet, duke pohuar të kundërtën e asaj që thotë Komisioni i Venecias.
“Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!” u shpreh Spiropali në reagimin e saj.
Pjesë e lojës edhe antarët e Gjykatës Kushtetuese
Muajt e fundit, Gjykata Kushtetuese është në përplasje me mazhorancës sa i përket mandatit të Olta Xhaçkës, por rreth dy vite më parë e njëjta gjykatë kishte në dorë të merrte një vendim dhe nuk e bëri këtë
Mandati i Olta Xhaçkës, zbulohet si votuan anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Edhe atëhere shumica socialiste në parlament refuzoi ta dërgonte në Kushteuese shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës. Kjo gjë e ndau opozitën dikur të përçarë në dy kampe. Grupimi më i madh, ai i Sali Berishës që arriti të mbledhë 28 nënshkrime deputetësh (1/5 e Parlamentit), kërkoi dy gjëra: shpalljen anti-kushtetues të refuzimit të Parlamentit dhe mbi të gjitha shqyrtimin thelbësor të çështjes, nëse Olta Xhaçka mund ta mbante edhe më tej mandatin e deputetit.
Nga ana tjetër, 14 deputetë të grupit Alibeaj-Basha, iu shmangën thelbit të çështjes, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta detyronte parlamentin për të dërguar pranë saj qëndrimin e minorancës për mandatin e Xhaçkës.
Natyrisht, askush nuk kishte dyshime se kjo Gjykatë Kushtetuese, e pjellë nga një reformë pocaqi dhe e politizuar deri në skaj, do kishte këllqe të digjte një deputete të shumicës, aq më tepër që, në atë kohë, ajo qe dhe ministre e kabinetit Rama. Prandaj për t’i bishtnuar thelbit të çështjes, Kushtetuesja përdori si pretekst qasjen që zgjodhën 14 deputetët e grupit Alibeaj-Basha. Ajo bëri sikur i dha atyre të drejtë, ia ktheu çështjen parlamentit për ta detyruar atë që t’i përcjellë mendimin e pakicës, gjykatës.
Por duke bërë këtë, ajo refuzoi të shqyrtojë kërkesën e grupimit Berishist që përbënte thelbin e çështjes: A mund ta mbajë mandatin e deputetit një ministre në konflikt interesi, që ka përfituar avantazhe biznesi dhe benefice publike nga vendimet e qeverisë ku bën pjesë.
Ky vendim i votuar në shumkcë nga Vitore Tusha, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji e Marjana Semimi, polli gjithë peripecitë e tanishme që çështja nuk mer rrugë edhe pas më shumë se dy vitesh dhe kushtetuesja nuk merr dot vendim për Xhaçkën, pasi më parë votoi për të tkurrur kompetencat e saj.
Në thelb ky ishte fillimi i zvarritjes së procesit për Olta Xhaçkën, qëndrimi asnjanës që gjyqtarët e kushtetueses mbajtë dy vite e ca më parë duke u bërë mburojë e ish ministres, një akt që nisi lojën që zgjat prej më shumë se dy vjetësh, kur me anë të procedurave u shmang një vendim pro ose kundër Olta Xhaçkës./Lapsi.al