Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se rikthimi i Partisë Demokratike në pushtet për herë të tretë do të jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve.
‘Dhe me këtë duhet thënë se gjendemi në pikën kyçe të betejës sonë. Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara. Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë. Tani jemi në betejën për shpëtimin e Shqipërisë’, theksoi Berisha në ceremoninë e 34 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.
“Miqtë e mi, kurrë nuk duhet të harrojmë katastrofën që parandaluam me qëndresën tonë.
Shqipëria pa opozitë do ishte një dimër i pafund.
Do ishte projekti që do varroste përfundimisht kombin shqiptar.
Sepse kur narkoshteti i Edi Ramës dëboi gjysmën e shqiptarëve vetëm në 10 vite, imagjinoni se çfarë do ndodhte dekadat e ardhshme kur Edi Rama priste të sundonte pa opozitë.
Por tani kjo ëndërr e Edi Ramës, ky projekt i Xhorxh Sorosit ka vdekur dhe ne duhet ta kallim atë.
Dhe siç thotë ajo shprehja e mençur e shqiptarëve, kur hap gropën e tjetër, do biesh vetë.
Fatin që përgatiti për ne, do e ketë rilindja e Edi Ramës, narkoqeveria e tij.
Vetë Edi Rama po e shkërmoq atë organizatë. E vetmja gjë që mban rilindjen sot është vetëm pushteti. Pushteti i bazuar në lidhjet me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.
Ditën që nuk do ketë më pushtet, shqiptarët do shohin gjendjen e vërtetë të saj.
Dhe këtu qëndron ndryshimi fundamental mes nesh dhe atyre.
Ne nuk jemi njëlloj sepse ne jemi një parti që ka fuqinë për të rikrijuar veten e saj.
Jemi një parti që kemi drejtuar dy herë Shqipërinë.
Herën e parë, kemi pasur gabimet tona, por kemi shënuar arritje epokale dhe askush sot nuk mund të mohojë se qeverisja e viteve 2005-2013 ka qenë më e suksesshmja që ka njohur Shqipëria.
Dhe së fundmi ne kemi vetinë, aftësinë për t’u ringritur pasi rrëzohemi.
Sepse ne kemi të parin interesin kombëtar dhe kurrë nuk e harrojmë këtë.
Prandaj dhe njësoj si hera e dytë ishte më e suksesshmja, hera e tretë do bëjmë të harrojmë herën e dytë. Do jetë më e mira.
Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve.
Dhe me këtë duhet thënë se gjendemi në pikën kyçe të betejës sonë.
Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara.
Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë.
Tani jemi në betejën për shpëtimin e Shqipërisë.
Para së gjithash për shpëtimin e qytetarëve shqiptarë nga dhimbjet e skamjet dhe mjerimit, për vendosjen me shpejtësi të minimumit jetik 200 euro, për pagën minimale 500 euro, për pagën mesatare 1200 euro, për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, për proporcionimin e çmimeve të energjisë dhe ujit, në proporcion me rrogat dhe pensionet që marrin.
Për shërbimet publike më cilësore që kanë njohur shqiptarët, për arsimin dhe shëndetësinë.
Për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Europë.
Zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit është zotimi ynë para shqiptarëve”, u shpreh Berisha.