Sekretarja e Partisë Demokratike të Italisë, Elly Schlein ishte në Shqipëri, për të kontrolluar personalisht situatën në qendrat e emigrantëve të ndërtuara nga qeveria italiane, të cilat aktualisht janë bosh. Shefja e partisë opozitare, rivale e fortë e kryeministres Giorgia Meloni, ka publikuar një video në Instagram nga qendra e pritjes së emigrantëve në Gjadër. Ajo thotë se kokëfortësia ideologjike e qeverisë italiane vazhdon të shpërdorojë paratë e taksapaguesve.
“Gjadër, Shqipëri. Në qendrën e ndërtuar nga qeveria Meloni dhe që u kushton më shumë se 800 milionë euro taksapaguesve italianë, tashmë krejtësisht bosh. Shihni me sytë tuaj, se ju dhemb. Të dhemb të mendosh se mund të ishin paguar 50 mijë vende të reja në çerdhe ose 7 mijë mësues ose 6 mijë infermierë për 5 vjet.
Jemi përballë qendrës në Gjadër në Shqipëri, një qendër bosh që do të mbetet bosh sepse është një marrëveshje me Shqipërinë që cenon të drejtat themelore të njerëzve dhe ligjet italiane dhe europiane. Një qendër bosh, ku na pritën staf shumë profesional nga forcat e policisë dhe organi drejtues, të cilët megjithatë në thelb janë këtu për të vëzhguar një qendër bosh, e cila do të mbetet bosh.
Gjithashtu sepse jemi në pritje vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Qeveria italiane është kokëfortë, po vazhdon punën për ngritjen e kësaj qendre që të mund të strehojë më shumë se 1 mijë njerëz”, – thotë ajo në video.
Qendrat e ngritura pas marrëveshjes së nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë mbetur praktikisht të papërdorura deri më tani, për shkak të vendimit të Gjykatës së Romës për të mos konfirmuar dy herë mbajtjen e emigrantëve aty dhe duke e çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. ©LAPSI.al