Letra e familjes Cani dhe pushteti që i imponohet hetimeve për Martinin e vrarë

Prindërit e 14-vjeçarit i shkruajnë ambasadës amerikane: Tentativa e manipulimit, vrasje e dytë e Martinit!

Në një përpjekje të dëshpëruar për të kërkuar drejtësi për djalin e vrarë, prindërit e Martin Canit i janë drejtuar me ambasadës amerikane një letër publike, që merr shkas nga disa reagime jonormale të drejtuesve të institucioneve shtetërore mbi të vërtetën për vrasjen e 14-vjeçarit, nxënës në shkollën “Fan Noli”.

Letra është shkruar si një klithmë e dhimbjes së dy njerëzve, që e nisën fëmijën në shkollë por e gjetën të pajetë. Kjo letër është edhe një akuzë e fortë ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë, që në vend se të heshtin dhe të lënë drejtësinë të bëjë punën e saj, kanë dalë me një version të ngjarjes, që kundërshtohet nga miqtë e familjes Cani.

Dhe ndërsa shohin se si ditë pas dite, të gjithë iu rikthyen normalitetit sikur asgjë të mos kishte ndodhur, prindërit e Martin Canit thonë se mungesa e përgjegjësisë institucionale është një vrasje e dytë.

“Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuan humbjen e djalit” shkruajnë Ëngjëll dhe Florina Cani në letrën drejtuar ambasadës amerikane.

Akoma më i rëndë është pretendimi i familjes Cani, për një manipulim të hetimit. Dyshimet marrin shkas nga informacionet e njerëzve pranë tyre, por edhe nga diskutimet në media, thonë ata.

“Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe” shkruajnë ata.

Dyshimet për manipulim të hetimeve mbi vrasjen e Martin Canit kanë në bazë të tyre dëshminë e shokut të Martinit, Luis Meçes që mbeti i plagosur nga sherri me thika. Luis Meçe dha një version të ngjarjes që është sulmuar fort nga policia dhe nga politika, që ka lëshuar kërcënime për mediat që përcjellin versionin e tij të historisë.

Por duket se tashmë, edhe prindërit e Martin Canit besojnë fjalët e Luisit, duke u dalë përballë të gjithë atyre që kërkuan t’i imponohen prokurorisë për një version të caktuar të vrasjes që në fillim të hetimit.

Luis Meçe, shoku i Martin Canit i plagosur

Sipas Luis Meçes, nxënësi i arrestuar i shkollës “Fan Noli” nuk e kreu vrasjen i vetëm. Një nxënës i dytë, që nuk është arrestuar, ishte prezent në përplasje dhe qëlloi me thikë duke e plagosur, pretendon Luisi.

Deklaratat e Luis Meçes u përcollën në media fillimisht nga babai i tij, Fiqiri Meçe që tregoi se autorët e vrasjes janë disa dhe kjo mund të provohej nga plagët që Luisi kishte në trup.

Fiqiri Meçe kërkoi të bëhej ekspertiza për të përcaktuar nëse plagët e të birit ishin bërë nga dy thika apo vetëm nga një thikë, por kjo ekspertizë nuk u krye.

Babai i Luis Meçes, duke denoncuar autorin e dytë të krimit

“Djali i ka parë që janë dy veta. Personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është djali me emrin K. B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit. K. B e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. Djali K. e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark.

Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur M. dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, K. e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, djali e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe” ka thënë Fiqiri Meçe.

Akoma më e rëndë ishte akuza e Fiqiri Meçes ndaj organeve shtetërore. Ai zbuloi një tentativë manipulimi të hetimit, kur tha se një inspektor policie tentoi t’i bënte presion të birit për të ndryshuar dëshminë gjatë kohës që ishte i shtruar në spital.

Familjarët e Luis Meçes e kishin nxjerrë jashtë spitalit inspektorin e policisë, kur kishin dalluar sjelljen që ai kishte pasur me 14-vjeçarin e plagosur në spital.

Por kundër këtyre pretendimeve të të afërmve të Martin Canit u vu në lëvizje një makineri propagande, që nis nga komunikatat e policisë së drejtuar nga Ilir Proda, tek hakërrimet e ministrit të brendshëm Ervin Hoxha ndaj mediave, deklaratat e kryeministrit Edi Rama, madje edhe kërcënimet për ndëshkim të mediave me një ligj që duhet bërë në rastet e dezinformimit nga kreu i komisionit parlamentar, Erjon Braçe.

Versioni që mbështetet në një video të siguruar nga policia, është se goditjet me thikë u kryen vetëm nga një person dhe ai është 14-vjeçari i arrestuar, M.P.

Lapsi.al i ka mbledhur deklaratat e zyrtarëve të lartë, të cilët kanë mbështetur një version të ngjarjes, duke shtuar presionin ndaj prokurorisë në një mënyrë të pazakontë, ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Në vend se të heshtin dhe të lejojnë prokurorinë t’i shkojë të vërtetës deri në fund, këta dalin hapur në një përplasje me familjarët e viktimës Martin Cani dhe të të plagosurit Luis Meçe. Përplasja me familjarët kamuflohet pas konfliktit me gazetarët, por sërish qëndrimi i tyre imponues shton dyshimet se vërtetë pas kësaj ngjarjeje, ekzistojën fakte që duhen fshehur.

Drejtori i policisë, Ilir Proda, 28 Nëntor

“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit”

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha , 28 Nëntor

“Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.
Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit”

Kryeministri Edi Rama, 5 Dhjetor

“Kjo e 14-vjeçarit ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video. Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti”, tha Rama.

Kreu i komisionit për dezinformimin, Erjon Braçe, 4 Dhjetor

“Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për t’i shkuar në fund krimit. Nisur nga informacionet që u ndanë i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit. Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve. Ndërkohë ai gjithashtu ngre problematikën e boshllëkut ligjor që nuk u lejon institucioneve të reagojnë në rastet e dezinformimit”

LETRA E PLOTE E FAMILJES CANI, DREJTUAR AMBASADËS SË SHBA

Me që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjecar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurtë në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.

Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe.

E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera, ku autorët i kanë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.

Zonja Nancy!

Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.

Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.

Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi te Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.

Kam besim te Ju.

Me respekt e dhimbje në Shpirt,

Angel e Florina Cani

Lapsi.al

Share it :