Ai ofron thjeshtësinë e një “stabilokrati” ballkanik, pasi qeveris një vend që në thelb nuk ka opozitë, ndërkohë që është një mbështetës i zjarrtë i BE-së
Si ka mundësi që një shoumen që minon çdo ditë vlerat demokratike në vendin e tij, është i përzgjedhuri i BE? Kjo është pyetja që shtron në këtë artikull studiuesi spanjoll specializuar në zgjerimin e BE-së dhe politikën e Ballkanit Perëndimor Alejandro Esteso Pérez. Për të kuptuar këtë dilemë ai bën një portret krahasues së kryeministrit shqiptar duke e i vënë përballë atij dy udhëheqës të tjetë iliberalë, Aleksandar Vuçiçin e Serbisë apo Milorad Dodik i Republikës Srpska. Ai e ka shkruar këtë artikull të fortë për revistën e përdymuajshme të bazuar në Krakovë “New Eastern Europe” . Por duke bërë radiografinë ai paralajmëron njësoj si politikbërësit po ashtu edhe analistët. Fakti që Rama ka asgjesuar demokracinë dhe ka zhbërë opozitën si alternativë, në një moment mund të krijojë problem edhe për vetë BE=në.
Nga Alejandro Esteso Pérez/ “New Eastern Europe”/Përtheu T. Çela, Lapsi.al
Kryeministri shqiptar Edi Rama, prej 11 vjetësh në pushtet, është përgjegjës për tkurrjen dhe përkeqësimin e hapësirës civile të Shqipërisë dhe kalimin e ngadaltë të vendit drejt një autokracie elektorale. Ndryshe nga liderë të tjerë në Ballkanin Perëndimor, si Aleksandar Vuçiç i Serbisë apo Milorad Dodik i Republikës Srpska, të cilët shpesh trajtohen si autokratë klasikë të rajonit, falë një qasjeje pro-europiane dhe një karizmme të veçantë, Rama ka arritur të shmangë vëmendjen ndërkombëtare nga veprimet e tij joliberale brenda vendit.
Ndërkohë që Shqipëria nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në BE disa javë më parë, duke ritheksuar rrugën pa kushte të vendit drejt Europës, lideri i saj përdor të njëjtat metoda shtypjeje demokratike dhe kapje të institucioneve, si Vuçiç dhe Dodik. Por interesi i BE-së për të ruajtur aleancën me nxënësin e bindur i kalon në heshtje ose i minimizon sa herë që është e mundur këto aspektë. Kjo tendencë përbën një trend vetëm mes institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare, por gjithashtu midis shumë vëzhguesve, analistëve dhe ekspertëve.
Nxënësi i autokratit
Shqipëria po rrëshket gradualisht drejt një spiraleje autoritare, pasi parametrat kryesorë demokratikë vazhdojnë ta përshkruajnë atë si një vend “pjesërisht të lirë”. Gjykatat janë subjekt i presionit dhe ndikimit politik; pavarësia e mediave është e kufizuar; korrupsioni është i përhapur; mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve demokratike është i lartë; dhe opozita – si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal – është e dobët dhe e çorganizuar. Kjo është aq e vërtetë sa që disa e konsiderojnë Shqipërinë si një sistem Parti-shtet.
Ky degradim ka ndodhur kryesisht falë rolit të Edi Ramës, i cili nuk ka më rivalë seriozë pasi ka mundur të margjinalizojë agjendat e demokratizimit dhe sundimit të ligjit në një nivel shqetësues. Brenda një kornize institucionale dhe politike që frenon çdo përpjekje për llogaridhënie, Rama ka shtypur kundërshtimin publik dhe madje ka toleruar praninë e krimit të organizuar, me të cilin ai është akuzuar se ndan objektiva fitimprurëse.
Nga ana tjetër, përgjatë procesit të integrimit në BE, Rama ka qenë i aftë dhe i artikuluar. Për vite me radhë ka ekzistuar përshtypja se Shqipëria po vuante pasojat e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, vend me të cilën Komisioni Europian (KE) e kishte çiftuar Tiranën. Parimisht, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhej të ecnin së bashku drejt BE-së, pavarësisht tekave të Sofjes. Megjithatë, kjo qasje ndryshoi pasi Shkupi mbeti peng i kokëfortësisë bullgare
Shqipëria e la pas krahëve këtë barrë në shtator 2024, kur kandidatura e saj u shkëput nga ajo e Shkupit. Në tetor, madje arriti të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me fillimin e grupit të kapitujve mbi çështjet themelore. Gjithçka të krijonte iluzionin se Tirana po i përmbushte angazhimet e saj. Përparimi i perceptuar i saj mund të përdorej për të krijuar idenë se procesi i zgjerimi po ecte përpara, pavarësisht mangësive reale.
Të dashurosh BE-në duke u sjellë si despot
Institucionet e BE-së dhe shtetet e saj anëtare kanë një histori të trajtuarit të vlerave në mënyrë pragmatike kur bëhet fjalë për prioritizimin e marrëdhënieve dypalëshe ose shumëpalëshe me vende jo-anëtare. Turqia, Azerbajxhani dhe Tunizia janë shembuj të qeverive me të cilat Brukseli ka arritur marrëveshje të ndryshme për energjinë ose migracionin – pavarësisht gjendjes së të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në këto vende.
Kjo ka ndodhur ndërkohë që përbrenda vetes BE-ja ka përdorur një standart të dyfishtë. Ajo po e përballon me vështirësi sjelljen e një udhëheqësi autokratik si Viktor Orbáni në Hungari, i cili nuk respekton vlerat e BE-së dhe për këtë rrezikon gjithmonë të izolohet politikisht ose të ndëshkohet. Një gjë është e qartë: nuk ka eksportues nafte apo pritës refugjatësh që mund të tolerojnë një qeveri iliberale brenda BE-së. Sytë mund të mbyllen vetëm nëse kjo qeveri mbështet hapur sovranitetin dhe legjitimitetin e BE-së.
Figura e Kryeministres italiane Giorgia Meloni është një shembull tipik. Edhe pse ajo i përket të djathtës radikale dhe po zbaton agjendën më të djathtë politike në dekada, duke cenuar të drejtat e prindërve LGBTIQ+ dhe duke goditur protestat paqësore, ajo e mbështet BE-në. Ky faktor i mundëson asaj që të mos trajtohet si një dele e zezë. Vetë Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ka qenë e qartë në këtë pikë.
Edi Rama ka ndjekur modelin e Melonit për një kohë të gjatë – madje shumë përpara se vetë Meloni të vinte në pushtet. Për BE-në dhe veçanërisht për shtetet anëtare, kryeministri shqiptar ofron një avantazh të dyfishtë. Ai ofron thjeshtësinë e një “stabilokrati” ballkanik, pasi qeveris një vend që në thelb nuk ka opozitë, ndërkohë që është një mbështetës i zjarrtë i BE-së si projekt politik dhe i së ardhmes së pakushtëzuar të Shqipërisë brenda saj. Kjo politikë krijon një kontrast të madh me Aleksandar Vuçiçin, i cili ofron stabilitet por krijon paqartësi në lidhje me qëllimet e Serbisë ndaj BE-së dhe nuk linjëzohet gjithmonë me politikën e saj të jashtme. Prandaj, Rama duket si nxënësi më i mirë i Ballkanit Perëndimor mes vendeve që bëjnë pjesë në grupin e zgjerimit të BE-së.
Rama ka arritur të magjepsë imagjinatën e BE-së si një lider karizmatik dhe i aftë, njësoj siç ndodhte më parë me Vuçiçin, Dodikun dhe ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski. Falë qëndrimeve të tij pro-perëndimore, mbështetjes për integrimin në BE dhe NATO, aftësisë për të shmangur mosmarrëveshjet rajonale si dhe sigurisë “stabilitokratike” që garanton, BE-ja ndihet rehat duke u mbështetur tek Rama, si një aleat i ngushtë, deficitet demokratike të të cilit se ka për gjë t’i injorojë. Shanset për një alternativë politike të besueshme në Shqipëri për momentin janë të dobëta, gjë që mund të përkeqësojë situatën dhe përpjekjet e BE-së për stabilitet rajonal.
Një mesazh nga e ardhmja
Në sytë e BE-së, Rama përgjithësisht nuk përbën kërcënim. Ai është karizmatik dhe i besueshëm dhe, ndryshe nga Vuçiç dhe Dodik, nuk mbështetet te ndikimi i rrezikshëm joliberal i Hungarisë. Përkundrazi, ai shërben në mënyrë pragmatike interesat e udhëheqësve më të pranueshëm joliberalë, si Italia.
Megjithatë, vendosmëria e BE-së për të mbështetur sistemin stabilitokratik dhe gjysmë-autoritare të Shqipërisë mund të ketë pasoja të rënda. Tolerimi pa kontroll i veprimeve të Ramës dhe klikës së tij; mungesa e kufijve të qartë për rrënimin e demokracisë dhe erozionin e sundimit të ligjit; mbyllja e syve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut për hir të gjeopolitikës, mund të shndërrojë udhëheqjen e tij në një problem të rrezikshëm për Bashkimin Europian në kushte të caktuara.
Ky është një paralajmërim jo vetëm për Komisionin Europian dhe shtetet anëtare, por sidomos për gazetarët, akademikët, analistët dhe vëzhguesit, të cilët shpeshherë nuk e përfshijnë Ramën në listën e autokratëve rajonalë. Në përgjithësi, ata duket se zbusin politikat e një shoumeni që minon përditë vlerat themelore të BE-së.
Nga Alejandro Esteso Pérez/ “New Eastern Europe”/Përtheu T. Çela, Lapsi.al