Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ka akuzuar dy diplomatët Donald Lu dhe Romana Vlahutin si ambasadorët më të korruptuar në histori.
“Tani unë si dëshmitar i atyre proceseve, u them ju, garancitë absolute për vetingun kanë qenë rishqyrtimi i dosjeve kriminale.
Dhe kam parasysh një bisedë që kam zhvilluar me dy ambasadorët më të korruptuar në historinë e diplomacisë evropiane dhe botërore, Donald Lu dhe Romana Vlahutin në zyrën time.
Unë u them atyre, ju kërkoni këtë proces për të shqyrtuar dosjet, pajtueshmërinë e tyre me ligjin, ku i keni ju ato njerëz, nga do i gjeni ju këta inspektorë, këta gjykatës, se këta duhet të jenë njerëz të kualifikuar që të gjykojnë gjykatësit?
Kemi plot, më thanë, kemi plot, i kemi në pension, do marrim, do i sjellim. Ky ishte mashtrimi ku e bazuan piramidën. Ju garantoj se ky ka qenë kriteri më i fundit dhe më i papërfillur në procesin e punës së tyre.
Janë marrë vetëm me gjah shtrigash. Prokurores në fjalë nuk pranonin se i ati i ka kthyer rrogën, ndërkohë që Irenës me 5 mbiemra i pranojnë se ish-bashkëshortja e burrit i ka dhënë para hua. E kuptoni ju vetë, i ka marrë burrin dhe pastaj ajo e shpërblen me para. As në romanet e Markezit nuk e dëgjon një gjë të tillë. Pra kësaj i pranohet se e ka shpërblyer me para borxh, që janë gjetur pa burim, kurse asaj tjetrës, që i ka kursyer rrogën, asaj nuk i pranohet.
Tani për t’i shkuar pak më tutje këtij procesi, unë e kuptoj që me këtë qëndrim irritohen shumë.
Unë e kuptoj se zemërohen shumë korruptokratë apo të mashtruar që mbështetën këtë proces, por unë do mbroj interesin e vendit tim, do mbroj interesin e qytetarëve shqiptarë.
Ndaj unë do u them atyre çdo të vërtetë se janë ata që paguajnë, është Shqipëria që paguan.
Para 4 vitesh kam llogaritur se dëmi financiar për mosgjykimin e çështjeve civile kalonte mbi 4 miliardë euro.
Përveç asaj, nuk ka investitor serioz që vjen këtu në një vend me këtë drejtësi, asnjë. Sepse siguria juridike është zero”, tha Berisha.