Pse SPAK po fokusohet te Ajola dhe jo tek Erioni

0
113

Dyshimet janë se në llogarinë e gruas derdheshin paratë pë vendimet që merrte Veliaj

Këtë fillim jave bashkëshortja e Erion Veliaj, Ajola Xoxa u vu në qendër të vëmendjes për herë të dytë, që pas të premtes së 6 Dhjetorit, kur agjentët e BKH-së ia behën në shtëpinë dhe zyrat e saj për kontroll, duke i sekuestruar madje edhe celularin dhe shuma të mëdha parash. Të hënën në datë 23, ajo kapërceu pragun e SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni mbi hetimin pasuror të nisur prej afro 1 viti ndaj Veliajt dhe vëllait të tij.

Pas këtij fokusimi të projektorëve mediatikë dhe atyre të drejtësisë mbi figurën e bashkëshortes së kryebashkiakut, e cila nuk mban ndonjë funksion publik, natyrshëm lind pyetja: Pse theksi po vihet mbi Ajolën dhe jo mbi Erionin? Pse kur ky i fundit ka dyshime per inceneratotin, 5D, lejet e ndërtimit, në epiqendër është vënë gruaja e tij?

Për të dhënë një përgjigje për këtë, Lapsi.al është munduar të depërtojë nëpër labirinthet e fshehta të hetimit që ende nuk janë thënë në publik. Aty ka elementë që spjegojnë dilemën se përse është implikuar znj. Xoxa. Sikurse dihet tashmë nga vendimi i gjykatës për kontrollin e banesës, i bërë publik para pak ditësh, SPAK po e heton Veliajn dhe familjarët e vet për, “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”.

Në kuadër të këtij hetimi ka rezultuar se “ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kane interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë. Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme”.

Por pyetja sërish mbetet: Ku hyn Ajola Xoxe në të gjithë këtë? Një burim i mirëinformuar brenda institucionit tha për Lapsi.al se dyshohet se asaj i derdheshin paratë për vendimet që merrte i shoqi. Pikërisht këtu po zhvillohet një nga pistat e hetimit, duke u fokusuar tek lidhja e personazhit kontrovers, të dënuar më parë në Belgjikë dhe bashkëjetueses së tij Marisa Nito, shoqe e ngushte me Ajola Xoxën. Elman Abdule emri, i të cilit është përfolur në shtyp si bashkëudhëtar arratisjesh turistike me Veliajn, prej të cilit ka marrë edhe leje ndërtimi, ka hedhur para edhe në llogaritë e Ajolës. “Flitet për një pagesë të paktën 180 mijë euro”, tha burimi i Lapsi.al, duke shtuar se pretendohet se ajo është bërë si shërbim konsulence nga Zyra Juridike e Ajola Xoxës, por dyshimet e hetuesve janë se pagesa është bërë në llogari private dhe jo siç e do ligji, në llogarinë e saj të biznesit. Pra hamendësohet se ky mund të jetë një rryshfet për privilegjet që Elman Abdule ka marrë nga bashkëshorti i Ajolës.

Hetuesit dyshojnë se e njëta skemë, Erioni firmos dhe Ajola arkëton, është zhvilluar edhe përmes një personi tjetër, me emër Adela Kondakçiu, për të cilën ka dalë urdhër për kontroll banese nga gjykata. Ajo ka shërbyer si financiere e bizneseve të Ajolës, ndërkohë që e e kryente këtë punë edhe për një kompani tjetër të lidhur me Bashkinë e Tiranës. Kjo kompani ka kryer prishje ndërtesash për llogari të institucionit që drejton Veliaj, si psh Gjimnazi Sami Frashëri dhe ajo gjithashtu, në rastin më të mirë në konfikt interesi, ka bërë pagesa konsulence për Ajola Xoxën.

Pra, skema që po gjurmon SPAK-u përmblidhet me fjalë të thjeshta në mundësinë që gruaja të ketë përfituar para falë veprimeve që ka ndërmarrë bashkëshorti kryebashkiak. Prandaj kjo shpjegon dhe faktin e përqëndrimit të vëmendjes tek Ajola Xoxa, pasi përmes saj mund të zbardhet e tërë skema e korrupsionit. Ndonëse i njëjti burim i Lapsi.al bëri të ditur se edhe Erion Veliaj do të thirret ditët e ardhshme përsëri në SPAK.

©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here