Me planin e prishur të Xhorxhia Melonit, një qendër strehon qen endacakë të adoptuar nga roje italianë të mërzitur
Gazeta prestigjoze britanike The Guardian i ka kushtuar ditën e sotme një artikull gjendjes së dy kampeve të azilkërkuesve në Shëngjin.
Gazeta e majtë e nis shkrimin me lluksin e raportuar se jetojnë policët italianë, praktikisht të papunë në Shqipëri.
Kur Italia hapi qendrat e emigrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: 3,000 njerëzve në muaj, të kapur në ujërat italiane, do ti trajtoheshin kërkesat e tyre për azil përtej kufijve të Italisë, të monitoruara nga oficerët e policisë italiane.
Dy muaj më vonë, gazetarët shqiptarë që paraqiteshin fshehurazi si turistë vëzhguan disa nga ata oficerë që qëndronin në një hotel me 5 yje me një pishinë dhe Spa në Shëngjin, portin shqiptar që strehon qendrën e emigrantëve.
“Kemi ardhur këtu për punë, jemi sigurimi i qendrës së emigrantëve […] por nuk ka emigrantë në ambiente, ata janë transferuar në Itali”, u thanë oficerët gazetarëve të Piranjat TV. “Jemi vetëm ne këtu. Ne paguhemi për të vepruar si turistë: mëngjes, darkë dhe sauna, të gjitha falas, paguan qeveria italiane.””
Guardian vazhdon duke theksuar se marrëveshja Rama-Meloni që mundësoi ngritjen e këtyre dy kampeve përpunimi për azilkërkuesit ishte pëlqyer edhe nga Komisioni Europian, tashmë nën presion nga partitë e ekstremit të djathtë në Europë. Por, sipas Guardian, rezultati i marrëveshjes deri tani është praktikisht nul.
“Objektet në Shëngjin ku ata u dërguan në punë janë bosh: ajo që ishte paraqitur nga Komisioni Europian si një model i ri për mbajtjen e emigrantëve jashtë BE-së, ndërsa gjyqtarët italianë e vendosën të paligjshme mbajtjen e njerëzve që ishin kapur në det në Shqipëri, përpara se t’i riatdhesonin në vende si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara “të sigurta” nga Roma. Vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në total në Shqipëri dhe asnjë nuk ka mbetur atje. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndroi për pak më shumë se 48 orë.”
Guardian peshon dy skajet e marrëveshjes, barrën 1 miliard euroshe për kampet, me zhgënjimin që ato ofrojnë sot.
“Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin e saj, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetin dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen midis Romës dhe Tiranës, e cila do të kushtojë rreth 1 miliard euro për pesë vjet, një “fatkeqësi financiare”.
Oficerët e policisë italiane të regjistruar fshehurazi nga televizioni shqiptar janë mes disa dhjetërava që kanë mbetur në Shqipëri. Në nëntor rreth 50, së bashku me dhjetëra punonjës socialë, u kthyen në shtëpi kur doli në dritë se objektet ishin bosh.
(Oficerët e policisë italiane në qendrën e paraburgimit në Shëngjin, Shqipëri)
Në fund të nëntorit, e përditshmja kombëtare ‘Domani’ zbuloi se një tjetër qendër paraburgimi shqiptare, në Gjadër, e destinuar për të strehuar azilkërkuesit, ishte pushtuar nga qen endacakë të birësuar nga 15 oficerët e burgut të vendosur atje. “Oficerët e burgut kanë ndjekur nevojat e qenve me dashuri dhe durim, duke u siguruar atyre ushqim, ujë, kujdes të përditshëm mjekësor dhe mbi të gjitha, një mjedis të sigurt dhe të dashur,” thuhet pas vizitës në qendër.”
Pa e thënë, por duke e nënkuptuar, Guardian duket se projekton dështimin e kampeve pasi liston disa fakte. Sipas The Guardian, një marrëveshje e tillë nuk kishte mbirë nga hiçi. Projekte të tilla kanë ekzistuar që në fillim të viteve 90-të por ato nuk janë materializuar kurrë.
“Sikleti i qeverisë italiane lidhur me skemën, e sulmuar nga partitë opozitare si një “dështim i plotë”, ka provokuar një grindje midis autoriteteve dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit pasi mbështetën një vendim të 4 tetorit nga gjykata evropiane e drejtësisë, se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet i sigurt.
Muaj përpara se të nënshkruhej marrëveshja mes kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, shumë OJQ, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet njerëzore apo edhe ligjore sipas ligjit ndërkombëtar. Disa shtete europiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë që nga viti 1993. Propozimet e tyre janë refuzuar.
Italia ka treguar se iniciativa është në pritje pasi ajo kërkon një zgjidhje që nuk shkel ligjet ndërkombëtare humanitare.”
(Një anije e marinës italiane që mbërrin në Shqipëri në tetor me të arrestuarit e parë për në kampe, me një kosto prej 31,000 euro për person. Burrat u transferuan shpejt në Itali)
Gazeta vë përballë përgjegjësinë e kryeministres Xhorxhia Meloni për një premtim ende të pambajtur, atë të një zgjidhjeje të shpejtë dhe efektive për çështjen e emigrantëve, përballë vërejtjeve të opozitës.
“Qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje nga tani deri në fund të mandatit të qeverisë italiane”, këmbënguli Meloni.
Besueshmëria e kryeministres është në rrezik pasi qeveria e saj e ka bërë emigracionin një çështje qendrore të fushatës dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. (Transporti në rrugë detare me një anije ushtarake italiane për tetë burra që mbërritën në Shqipëri kushtoi 250,000 €, më shumë se 31,000 € për person.)
“Pse duhet t’i hedhim kështu paratë e italianëve? Pse të lëmë forcat e rendit me pushime në Shqipëri kur kemi nevojë për personel në qytetet tona?” – pyeti Matteo Renzi, kreu i partisë opozitare ‘Italia Viva’ dhe ish-kryeministër, duke propozuar që të burgosurit shqiptarë në Itali të zhvendosen në objektet në Shqipëri.
“Marrëveshja e migracionit në Shqipëri është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë”, shtoi ai, “Kushtoi një miliard euro dhe po shërben si strehë për qentë”.
Përgatiti ©LAPSI.AL