Drejtuesi Politik i PD qarku Tiranë, Belind Këlliçi e konsideron një rast të humbur nga SPAK, moszbardhjen e plotë të aferës 5D në Bashkinë e Tiranës. Sipas Këlliçit ëshët e pamundur që Erjon Veliaj të përjashtohet nga kjo aferë korruptive, pasi ai është kreu i këtij grupi.
Këlliçi thotë se dosja është ndarë dhe në një fraksion tjetër, ku flitet për pjesën e Veliaj-t, pasi sipas tij është e pamundur që tendera 30 milionë euro apo leje ndërtimi të jenë dhënë pa dijeninë e tij. Nga ana tjetër, Këlliçi thotë se personi që ka kallëzuar Veliajn nuk është anonim, por kallëzimet janë bërë nga vetë ai.Këto deklarata Këlliçi i bëri në emisionin TASK FORCE të modetores Sonila Meço në SYRI TV.Këlliçi: Sot është një rast i humbur i SPAK për të hedhur dritë mbi një nga aferat korruptive më flagrante të padëgjuara ndoshta në historinë e Ballkanit dhe më gjerë. Po dëgjoja Klodianin ( Tomorrin) , dhe duhet të më mirëkuptoni, se kam vetëm informacion të limituar se kam shumë pak kohë që kam dalë vetë nga SPAK, për shkak se kam qenë brenda atje dhe s’kam pasur mundësi të marr informacion.
Koka: 5D është dënuar dhe Veliaj nuk është në dosje, kjo është…
Këlliçi: Bazuar në informacionin paraprak që kam marrë, aty ka dhe një çështje që është me fraksion, dhe nuk është 100% e sigurtë që Veliaj është jashtë. Pra ka një fraksion që ai mund të përfshihet më pas. Sepse është e pamundur që kreu i 5D, Erjon Veliaj të jetë jashtë kësaj çështje dhe është e pamundur që SPAK të pretendojë që tre drejtorë të Bashkisë Tiranë, kanë marrë 30 milionë euro tendera publikë, kanë marrë dhe 3 leje ndërtimi me firmën e Veliajt dhe ky nuk di gjë. Dua të them, këtë fabul s’ka SPAK, GjKKO apo Veliaj që t’i mbushë mendjen qytetarëve shqiptarë. Dhe i bëj thirrje atyre drejtorëve që po bëjnë sot burgun e Veliaj, të tregojnë se për interes të kujt kanë ekzekutuar vendimmarrjen dhe në favor të kujt kanë blerë votat në fushatën elektorale të 13 majit. Ata mos bëjnë burgun e Veliajt. Sepse e kanë thënë më parë se po shkojnë në burg me regji të Veliajt dhe po shkojnë për të bërë burgun e Veliajt. Ndërkohë i bëj thirrje SPAK që të zbatojë të gjitha porositë e apelit të GJKKO, ku është kërkuar zbardhja e rolit të titullarit të autoritetit kontraktor që deri në vitin 2021 ka qenë Veliaj. Pra këto tenderat i ka firmosur Erjon Veliaj e nga 2021 e mbrapa ka qenë Arbian “biftek” Mazniku… Të marrin në pyetje punonjësen Jona Bejko, që thotë “Hoteli 50 milionë euro është i lali Erit”. Unë nuk di nëse ka një deklaratë më flagrante se kjo. Të bëhen të gjitha përpjekjet për të zbuluar aferat e këtij grupi të strukturuar kriminal, dhe si çdo grup i strukturuar kriminal gjithmonë ka një kokë, ka një kryetar ka një kapobandë dhe ai është Erjon veliaj. Kam parë një deklaratë haluçintante në kufijtë e absurdit sot të kreut të të 5D, që qenka kallëzuar nga një person anonim. Unë se kam dëgjuar asnjëherë, Erjon Veliaj është kallëzuar nga unë.