Çfarë i pengon bilbilët e sinjalizimit për të fryrë kundër korrupsionit?

0
113

Sinjalizimi kundër korrupsionit në Shqipëri has pengesa të shumta, nga mungesa e mbrojtjes institucionale tek hakmarrja e ashpër ndaj sinjalizuesve. Media shpesh ngatërron rolin e tyre me stigmat e së kaluarës, duke i lënë të ekspozuar dhe të pambrojtur. Për të mbështetur sinjalizuesit, kërkohet një media e pavarur dhe një platformë morale që fuqizon transparencën.

Nga Artan Rama

Kur në krye të një grupi të vogël gazetarësh, vendosa që të largohesha nga televizioni “Vizion Plus”, në shenjë proteste pas ndalimit të transmetimit nga pronarët të një reportazhi investigativ në vitin 2016, largimi u bë epiqendra e një debati publik mbi lirinë dhe kushtet e medias. Për pak kohë grupi ynë fitoi përkrahje popullore; emrat dhe puna e gazetarëve mori vemendje dhe vlerësime të mëdha. Por në dy javë e tërë zhurma u shua. Ngjarja i kaloi historisë dhe detajet u arkivuan në kujtesën kolektive. Media, njësoj si më parë, e vazhdoi shërbimin ndaj pushtetit, ndërsa pushteti vijoi propagandën e përditshme. Të vetmit që ndryshuam ishim ne: ekipi i gazetarëve të “Públicus”.

Më pas, vetëm një pjesë e jona u kthye përsëri në media. Të tjerë ndryshuan profesion, ndërsa unë fillova të punoj, qysh atëherë e deri tani, si gazetar i pavarur.

Kjo histori e tetë viteve të shkuara m’u rikthye në kujtesë këtë dhjetor gjatë një konference të mbajtur në Tiranë mbi sinjalizuesit. Ajo u organizua nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) me mbështetjen e Balkan Trust for Democracy dhe USAID dhe synonte zhvillimin e dialogut mes autoriteteve publike, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve, për të fuqizuar sinjalizimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Sinjalizuesit, në kuptimin e ligjit nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” janë nëpunës civilë të cilët raportojnë praktika të dyshuara korruptive pranë institucioneve ku punojnë për të cilat ata kanë dijeni.

Gazetarët e “Públicus” nuk mund të konsiderohen sinjalizues të mirëfilltë, por dalja publike i ekspozoi ata. Për sinjalizuesit e mirëfilltë, ekspozimi mund të rezultojë fatal.

“Qëllimi i tyre nuk duhet të jetë dalja publike, por bërja publike e fenomenit që sinjalizojnë”, -këshillon Arjan Dyrmishi nga CSDG. Sipas tij, pothuajse të gjithë sinjalizuesit janë viktima të hakmarrjes çka në një farë mënyrë shenjon karrierës e tyre.

Vitin e shkuar realizova një dokumentar mbi gjendjen e sinjalizimeve në Shqipëri. Ndonëse të pakta, në pesë vitet e fundit spikasnin tri raste. I pari ishte mjeku Ilir Allkja, një doktor urgjence, i cili kishte denoncuar praktika keqadministrimi në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. I dyti ishte veterineri Ardian Koçi, drejtor i agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura që kishte kundërshtuar praktika abuzive në Ministrinë e Turizmit Mjedisit dhe rasti i tretë kishte të bënte me redaksinë e Lapsi.al, një platformë informative, gazetarët e së cilës kishin denoncuar marrjen e paautorizuar të të dhënave personale të qytetarëve nga partia socialiste për qëllime elektorale.

Në të tria rastet, reagimi i autoriteteve kishte qënë i ashpër. Mjeku Allkja u pushua, ndërsa drejtori Ardian Koçi u mënjanua nga administrimi i punëve të përditshme, duke u zëndësuar nga të tjerë njerëz, çka e detyroi që të jepte dorëheqjen. Ndërkaq, serverat e platformës informatike Lapsi.al, rrezikuan të sekuestroheshin, pasi Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e Prokurorisë për t’i sekuestruar. Ato shpëtuan në çastin e fundit, falë pezullimit të vendimit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj).

Por dëshmia e mjekut Allkja tregoi se presioni vinte edhe nga një drejtim tjetër. Përposh autoritetit nga lart, një pjesë e sulmeve, kryesisht verbale, ndonëse të paorkestruara, vinin prej qytetarëve në rrugë. “Pati prej tyre që lëshonin fyerje drejt meje, me fjalë të rënda”, – tregon mjeku.

Nuk është e  lehtë për të shpjeguar origjinën e këtij agresiviteti ndaj atyre që përfshihen në mbrojtjen e së përbashkëtës.

“Kur vjen puna tek e përbashkëta, njerëzve u shkon mëndja tek e shkuara komuniste në Shqipërinë Socialiste”, – më shpjegon Fjola Graçi, një gazetare e re që drejton Zëri.ai. Në fakt, as media nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia.

Kur ligji u miratua tetë vjet më parë, media fliste për spiunë e jo për sinjalizues, çka e dëmtoi procesin ende pa filluar. Por tradita e referimit nën këtë konotacion vazhdon edhe sot.

“Sikurse e tërë shoqëria edhe media nuk thellohet dhe ngatërron fshehtësinë e punës së sinjalizuesve më punën e fshehtë të spiunëve në shtetin totalitar komunist”, – argumenton Graçi.

“Çfarë e mirë publike i ka ardhur interesit publik shqiptar, pas tërë këtyre viteve?” – pyet Dyrmishi nga CSDG. Më shumë se një pyetje, dukshëm është një kostatim. Dyrmishi është një nga njohësit më të mirë të nismës për sinjalizimet dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, por në tetë vite, qysh prej miratimit të ligjit, pyetjet për të, lidhur me efektivitetin e sinjalizimeve janë shtuar. “Asnjë nga sinjalizimet nuk ka përfunduar në Gjykatë”, – konstaton ai.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) që mbikqyr dhe monitoron rregullat dhe standardet ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre është një institucion, thellësisht i pareformuar. Raportet vjetore mbi gjendjen e sinjalizimit janë të varfëra dhe pothuajse të zbrazëta nga të dhënat. Në këtë pikë ato nuk dallojnë shumë nga moria e raporteve të institucioneve të tjera publike, të cilat shpesh e fshehin problemin, në vend që ta ekspozojnë.

Unë tentova të takoj drejtuesit e këtij institucioni për të nxjerrë më shumë të dhëna të vlefshme për publikun, por përpjekja nuk dha asnjë rezultat. Për burokratët e ILDKPKI fryma e mbylljes është një mekanizëm për të justifikuar mungesën e llogaridhënies. Sipas Dyrmishit, ILDKPKI është një agjenci me natyrë ndëshkuese dhe nuk përputhet me mbështetjen që ky autoritet duhet që t’u japë sinjalizimeve dhe sinjalizuesve. Prej kohësh, ai ka sugjeruar kalimin e përgjegjësive në një institucion tjetër shtetëror.

Sinjalizimet janë një armë e fuqishme në luftën kundër korrupsionit, por dobishmëria publike e sinjalizimit nuk po merr vëmendjen e merituar. Shumë prej anëtarëve të njësive përgjegjëse nëpër institucionet shtetërore që monitorojnë sinjalizimet, pjesëmarrës në konferencë, qëndruan të heshtur, duke shmangur rënien në sy. Ata pak që u pëfshinë treguan paqartësi dhe mungesë trajnimi për t’u marrë me sinjalizimet. Për këtë arsye, pothuajse që të gjithë sinjalizuesit i kanë drejtuar sinjalizimet e tyre në media. Por dalja publike nuk garanton mbrojtjen e tyre ligjore, duke nxitur fushata të komanduara denigrimi dhe përndjekjeje.

“Sinjalizimi nuk është për njëherë, – thotë Mark Worth nga Qendra Evropiane  për të Drejtat e Sinjalizuesve. Sinjalizuesi nuk duhet konsumuar në publik. Mbrojta e tyre mbetet njësoj e rëndësishme, po aq sa sinjalizimi, vijon ai më tej.

Worth ka një përvojë të spikatur më mbrojtjen e sinjalizuesve. Unë zhvillova me të një bisedë telefonike javën e shkuar, në një përpjekje për të kaluar nga një realitet lokal në një perspektivë më të gjerë përfshirjeje. Si një prej koordinatorëve të Koalicionit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Evropën Juglindore (SECWP) ai konstaton se Shqipëria përbën një rast atipik dhe jo shumë të favorshëm në kultivimin dhe përkrahjen ndaj sinjalizuesve, krahasuar me shtetet e tjera të vogla, kryesisht të ish-Yugosllavisë. Por ai shton se mbrojtja nuk duhet të synojë tjetërsimin e sinjalizuesve dhe as të ndryshojë jetën e tyre.

“Shpesh sinjalizuesit përfshihen emocionalisht. Ky është gabim! Në këtë mënyrë ata konsumohen dhe jeta e tyre ndryshon përgjithmonë. Ndaj ne duhet t’i mbrojmë, në radhë të parë nga ekspozimi, përndryshe ata do të pushohen nga puna dhe mbrojtja bëhet jashtëzakonisht e vështirë”, – përfundon Worth.

Nuk ka një rrugë të shkurtër për një sinjalizim të qëndrueshëm. Iluzioni se përmirësimi i ligjit mund të përmirësojë gjendjen e sinjalizuesve duhet lënë mënjanë. A mund të shohim diku tjetër? A mund të përmirësojmë instrumentet të cilat mund të përmirësojnë shtratin në të cilin sinjalizimi mund të rritet?  Këto ishin disa nga pyetjet e bëra në konferencën e mbajtur këtë dhjetor në Tiranë. Përgjigjet erdhën në formën e rekomandimeve dhe kryefjala ishte Media.

– Po! Media është çelësi!

Në pamundësi për të rritur drejtpërdrejt numrin e sinjalizimeve, le të përmirësojmë median për t’i ofruar nëpunësve publikë një mundësi për sinjalizime të qëndrueshme; të ndërtojmë një media të pavarur dhe një aleancë strategjike gazetar-sinjalizues; t’u ofrojmë mbështetje që sinjalizuesit të mos konsumohen publikisht, por të vijojnë sinjalizmet, jo vetëm një herë, por gjithmonë. Por në radhë të parë, si gazetarë, le t’u ofrojmë sinjalizuesve një platformë të moralshme ku të ndihen jo vetëm të mbrojtur, por edhe të përmbushur.

/ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore në Shqipëri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here