Edi Rama ka qenë në ngërç për ti’u përgjigjur Zërit të Amerikës për rastin Veliaj
I pyetur nga Armand Mero, në një intervistë të regjistruar dje dhe të transmetuar sot, kryeministri nuk ka precizuar dot një qëndrim të qartë.
Nga njëra anë ai ka harruar të thotë shprehjen që përdor rëndom se “për të tilla raste ne socialistët e bëmë reformën ́në drejtësi”. Por kjo gropë në memorie nuk duket krejt e rastësishme. Aq më tepër po të shohësh se kryeministri ynë proleks, ka qenë tejet i kursyer për këtë temë. Ai është përgjigjur vetëm me tre fraza. Dhe brënda këtyre të trejave ka thënë një mashtrim, një parrullë parazite dhe një marrje të krahut të Veliajt kundër mediave. Kryeministri mashtroi kur tha se “Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate…”.
Në fakt ai ka komentuar që kur emri i Saimir Tahirit doli në dosjet siçiliane e deri tek Arben Ahmetaj, kur i dha urdhër prokurorëve, “do ia bëja më keq po të isha në vend të tyre”. Atëhere pse manipulon? Përgjigjja është e thjeshtë, se nuk di ç’të thotë. Kjo shihet edhe në frazën e dytë kur përsërit një formulë standarte që shqiptohet sa herë nuk do të thuash asgjë: “fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm”.
E vetmja fjali ku ai bashkohet “me pikë e presje”, me deklaratat e fundit të Veliajt është etiketimi i errët i mediave: “gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese”.
Pra duket sikur Rama ka vendosur ta lëshojë “pasardhësin” duke mos e mbrojtur. Por, nga ana tjetër, ai me sa duket i trembet shantazhit të këtij shoku armësh, ndaj përpiqet mos e lëndojë. Pikërisht ky ushtrim prej ekuilibristi e bën të duket qesharak, kur pranon të japë intervistë për të mos dhënë asnjë mesazh. Duket qartë që shefi i qeverisë është në hall, aq më tepër që Veliaj sot e hodhi një mini shantazh: “Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet”. Pikërisht kohës të Veliajt për të folur i druhet Rama, i cili tmerrojet nga precedenti i një Ahmetaj të dytë. Kjo frikë e bën konfuz, gënjeshtar dhe inkoherent.
©Lapsi.al