Për te analizuar të tashmen duhet të njohësh më parë të shkuarën. Kjo vlen më së shumti në realitetin shqiptar ku vazhdimisht është punuar për zhdukjen e memorjes për të mbuluar skandalet e sotme. Emisioni Plug do të ndalet ditën e sotme në një prej institucioneve me të rëndësishme të drejtësisë së re, Shkolla e Magjistraturës. Ky institucion prej 5 vitesh drejtohet nga Arben Rakipi, ish-kryeprokurori i etiketuar vite më parë për lidhje me politikanët e së majtës, e madje i akuzuar për lidhjet e forta me trafikantë droge e armësh.
Ndërsa në detyrën si kryeprokuror u akuzua vazhdimisht se po i shërbente politikisht Partisë Socialiste, madje me dosje deri në kufijtë e fantazisë, në vitin 2001 emri i tij do të lidhej edhe me trafikun e kokainës nga Amerika Latine.Pak muaj më pas, në vitin 2002, do të ishte i ndjeri Dritan Prifti që do të hidhte akuza të rënda ndaj Arben Rakipit, për shantazh e kërcënime për llogari të Fatos Nanos.Në një intervistë për revistën Klan Dritan Prifti zbardhi bisedat dhe kërcënimet e Rakipit gjatë një takimi informal.Rakipin, e takova te lokali ‘Nëna Mbretëreshë’ dhe kemi biseduar shumë gjatë. Ai më tha se nëse do të jepja informacion për Metën, Angjelin dhe Muçin çështja e KESH-it do të mbyllej.
Gjatë po asaj periudhe, akuza për përdorjen politike të Arben Rakipit nuk mungonin as nga brenda kampit të së majtës por edhe nga opozita e kohës. Sipas Metës, Rakipi raportonte tek Nano dhe se po hetonte nën dirigjimin politik disa afera në KESH, në atë kohë me në krye Dritan Priftin. Krytari i Partisë Demokratike Sali Berisha e akuzonte Arben Rakipin se liroi nga burgu vrasesit e Azem Hajdarit për t’i ndihmuar që të largoheshin nga vendi.
Në mars të vitit 2002, Arben Rakipi do të shkarkohej nga Parlamenti, si kryeprokurori më i përfolur në përdorjen nga politika por edhe lidhjet e dyshuara me krimin.
Pas një pauze në jetën publike, Arben Rakipi do të niste rehabilitimin në OJF-të e sponsorizuara nga Xhorxh Soros e të drejtuara nga Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. E duket se që në krye të herës ai u projektua si një nga njerëzit që do të ishte kontributor i hartimit të Reformës në Drejtësi e më pas drejtues i saj.
Në vitin 2017, në kohën e lulëzimit të shoqatës “BENUSSI”, e themeluar dhe drejtuar nga Ajola Xoxa, Arben Rakipi merr rol aktiv në aktivitetet e kësaj organizate, ku së bashku me bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës organizonin konferenca shkencore për reformën në drejtësi.
Një e tillë është ajo e datës 27 janar, konferenca me temë: Ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i reformës në sistemin e drejtësisë, sfidat e së ardhmes”. Në këtë konferencë, Arben Rakipi merr pjesë si lektor shkencor, ndërsa Ajola Xoxa si drejtuese e institutit Benussi.
18 vite nga shkarkimi ai do të rikthehej si drejtues në Shkollën e Magjistraturës. Me marrjen e kësaj detyre, përpos akuzave publike për futjen në këtë shkollë të fëmijëve të ish-prokurorëve, gjyqtarëve apo dhe zyrtarëve socialistë, Arben Rakipi do të përfshihej edhe në një skandal më të rëndë.
Në prill të vitit 2024, u zhvillua provimi për studentët që aplikuan në shkollën e magjistraturës. Në datën 22 prill, u zhvillua testimi i kandidatëve. Pas korigjimit të tezave, u shpallën 79 emra fitues të vlerësuar sipas pikëzimit të përcaktuar nga kjo shkollë. Por çuditërisht, një ditë pas shpalljes së 79 emrave fitues, kësaj liste iu shtuan dhe 42 emra të rinj, duke e çuar në total në 121 numrin e kandidatëve fitues në shkollën e magjistraturës.
Arben Rakipi thelloi më tej skandalin, duke mos përsëritur testimin, siç kërkonin studentët që firmosën testimin. Duke u justifikuar me mos funksionimin e sistemit të kontrollit të tezave, Arben Rakipi në 24 prill të 2024, vendosi të zhvillonte një fazë të dytë testimi.
Por edhe kjo fazë e dytë testimi, nuk u mbajt kurrë pasi u anullua në momentin e fundit nga Arben Rakipi pa dhënë asnjë shpjegim.
Siç në vitet 2000 kur hetimet për të asnjëherë nuk shkuan deri në fund, duket se edhe skandalet e sotme ne Shkollën e Magjistraturës mbeten sërish një dosje e pamundur për SPAK. Ky i fundit nuk nisi hetimet për skandalin, duke pretenduar se nuk kishte kompetencë për të hetuar drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës. SPAK pretendoi se kallëzimi i depozituar nga Shoqata e Avokatëve Anti Korrupsion, nuk mund të hetohej nga prokurorët e posaçëm, për këtë arsye kallëzimi ishte përcjellë në Prokurorinë e Tiranës. Prej muajit qershor, 2024 kur është bërë kallëzimi e deri më sot, publikisht nga Prokuroria e Tiranës nuk ka pasur asnjë zhvillim për rastin.