Nga Ndricim Kulla
Sigmund Frojd na ka lënë një dëshmi të madhe shkencore nga studimet e tij për karakteret njerëzore.
“Kompleksi i superioritetit që vjen nga inferioriteti”-ka thënë Frojdi. Kjo është provuar dhe vlen për të gjithë ata njerëz që kanë zbrazëtira të mëdha dhe të dukshme për të realizuar qëllimet dhe dëshirat e tyre dhe për të kompensuar këtë i ngjisin vetvetes në mënyrë të sforcuar sjellje dhe imazhe të rreme.
Kreu i regjimit shqiptar, nuk ka qenë kurrë patriot dhe atdhedashës ,përveçse një globalist i çthurur.Nuk ka qenë kurrë social apo human dhe që nuk është bërë kurrë shtetar i vërtetë, duket tek politikat e tij oligarkike të qeverisjes. Por pushteti i zgjon vazhdimisht instinkte dinakërie për tu mbrojtur dhe për tu dukur.
Rikthimin tek etërit tanë themelues, që duhej të ishte sot një politikë shtetërore në këtë det të trazuar të globalizmit Edi Rama sot po e kërkon tek fotografia e Ismail Qemalit.
Shumica e shqiptarëve që kanë qenë dëshmitarë të imazhit publik që krijoi kryeministri Rama me pamjen dhe veshjen e tij që kur hyri në politikë, si një njeri që gjoja po përfaqësonte gjeneratat e reja, kanë pritur që kur Rama të thinjej t’ i lyente flokët ose ta hiqte mjekrën e tij që tani është thinjur e gjitha. Por Rama nuk veproi kështu. Ai jo vetëm që nuk i lyeu flokët, por madje nuk e hoqi as mjekrën e thinjur. Për një njeri që ka shumë kujdes për imazhin e vet publik, kjo gjë nuk është bërë ashtu kot, si shije personale e çastit. Edi Rama në postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, donte që t’ u tregonte shqiptarëve imazhin e një njeriu të ri, shpesh edhe më të ri sesa mosha e tij reale, gjë që pretendonte se e justifikonte me idetë e tij qënë fakt nuk ishin të reja. Por Rama në postin e Kryeministrit ka krijuar një tjetër imazh, atë të pushtetarit-kryeplak.
Rama e ka ndjerë se shqiptarët, ashtu si shumica e popujve të botës, për qeverisje iu besojnë përvojës së thinjave dhe të rinjtë në pushtet, çfarëdo qoftë ky i pranojnë vetëm si përjashtime, kur janë talente, jo si rregull. Vetë Rama me modelin që krijoi dikur të njeriut dyfish të ri në politikë, edhe si prurje edhe si mendësi, ishte një përjashtim, ndaj të cilit PD përveç Berishës nuk arriti të gjente një alternativë për shumë kohë për t’ ia vënë përballë si kundërshtar direkt.
Fan Noli kur përktheu dramën e Ibsenit “Armiku i popullit”, fjalën “kryetar bashkie” e përktheu “kryeplak”. Kjo sepse në mendjen e tij qeveritari identifikohej me plakun e urtë, siç është në shumicën e vendeve të botës. Në zgjedhjet e para fundit presidenciale në SHBA garuan një 69 vjeçare, Zonja Clinton dhe një 70 vjeçar, z. Trump. Kur partia e dytë më e madhe në Gjermani, ajo socialdemokrate, zgjodhi disa vite më parë liderin e ri për t’ ia kundërvënë Merkelit në zgjedhjet e vjeshtës, vuri në këtë detyrë një 61 vjeçar z. Schulz.
Në Shqipëri modeli i plakut të urtë në politikë dhe pushtet u përdhos nga modeli i anëtarëve injorantë të Byrosë Politike të kohës së komunizmit. Por meqenëse regjimi komunist krijoi modelin e udhëheqësit të plakur injorant, karrocier e bari, kjo nuk do të thotë të zhduket bashkë me këtë model edhe plaku i urtë, i shkolluar, i përgjegjshëm e me përvojë në politikë e në pushtet.
Para disa vitesh mbaj mënd se shpërthyen ujërat e zeza në Sarandë, në kulmin e sezonit turistik. Saranda është emblema e turizmit shqiptar ose ndryshe si i thonë nusja e tij dhe kohët e fundit frekuentohet shumë jo vetëm nga shqiptarët e të gjitha trojeve por edhe nga turistë nga gjithë vendet e Evropës dhe më gjerë. Për këtë arsye, nëse kjo gjë do të kishte ndodhur në çdo qytet turistik të botës, kryetari i Bashkisë do të kishte dhënë dorëheqjen, ose së paku do të dilte dhe do t’ u kërkonte falje turistëve dhe qytetarëve taksapagues që pësuan humbje nga që ai nuk i kishte kryer mirë detyrat e tij për të rregulluar infrastrukturën e qytetit. Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, një vajzë e re që nuk do të ishte e përshtatshme as në rolin e zdhënësen së Kryetarit ose Kryetares të Bashkisë Sarandë e jo më për modelin e e kryeplakut të bashkisë të Nolit, nuk bëri as njërën as tjetrën. Të mbash fjalime për Sarandën si perla e turizmit shqiptar s’është asgjë. Të bësh detyrën është ajo që duhet në këtë drejtim .Por kjo histori e promovuar më parë nga modeli që krijoi Rama kur u mbyt Tirana për hiç asgjë në mungesë të kujdesit minimal nga Bashkia Tiranë dhe ai as nuk e shkoi ndërmend dorëheqjen ,tregon për shembullin e ngulitur të mendësisë së plakur që kishte prurë Edi Rama.
Si njeri që është lindur dhe rritur në atë zonë, unë ndjeva një keqardhje të madhe atë këtë që ndodhi dhe si intelektual bëra apel që të marrë fund ky model i të rinjve në detyra të tillë përveçse kur janë vërtet të talentuar. Se fakti që del një i ri i dhe futet në politikë nuk do të thotë që pastaj të hapet rruga për të gjithë që të bëhen pushtetarë në nivel qendror e lokal.
Unë kam qenë dhe jam kundërshtar politik i Kryeministrit Rama në shumë momente, sepse idetë tona politike kanë qenë të papajtueshme në shumë drejtime. Por më duhet të pranoj me sportivitet se ai përsëri diti të gjejë imazhin e përshtatshëm publik për të mashtruar opinionin, me një simbol që flet qartë dhe që është mjekra e tij e thinjur e Ismail Qemalit . Mjekra e thinjur me të cilën kërkon të turbulloj mendjet e njerëzve se i ngjan Kryetarit të Shtetit të parë shqiptarë, po rezulton një nga manipulimet më të mëdha të një politikani, i cili nuk u bë dot imazhi simbolik, që të shihej si në pushtetin qendror si kryeministër dhe as në nivelin e pushtetit lokal në figurën e kryebashkiakut-kryeplak, burrë apo grua i/e urtë, me përvojë.