Kryetari i PD, Sali Berisha duke folur në ceremoninë e promovimin të librit “Kampeve të internimit nën hijen e Tomorrit” të autorit Simon Mirakaj, u shpreh se, vendosja e pushtimit komunist më 28 nëntor të vitit 1944, e vërteta, zëvendësimi i një pushtimi të huaj me një pushtim barbar të brendshëm.
Sipas tij, Enver Hoxha riprodhoi në Shqipëri kampet e përqendrimit të nazizmit, pasi tipari i tyre kryesor ishte shfarosja e kundërshtarëve.
“I dashur Simon, të dashur miq!
Para së gjithash dua të falënderoj me shumë respekt, nderim dhe mirënjohje Simon Mirakën për këtë vepër kushtuar njërës prej periudhave më dramatike të historisë sonë kombëtare, kushtuar kalvarit më të egër që shqiptarët njohën pas Luftës së Dytë Botërore, kushtuar qëndresës dhe shpirtit të pamposhtur të elitës tonë kombëtare.
Simon Miraka, familja Miraka janë një familje ndër më të njohurat, më atdhetaret në veriun e Shqipërisë.
Vendosja e pushtimit komunist më 28 nëntor të vitit 1944, e vërteta, zëvendësimi i një pushtimi të huaj me një pushtim barbar të brendshëm, u shoqërua me dekapitimin e elitës kombëtare shqiptare, përfshi dhe një numër të konsiderueshëm të tyre, që kishin luftuar me armë në dorë pushtuesin e huaj.
Enver Hoxha riprodhoi në Shqipëri kampet naziste të përqendrimit.
Kampet e përqendrimit kishin një tipar kryesor, shfarosjen.
Ato kampe duhet të shfarosnin personat që ndryheshin në to.
Nuk e fshehu Enver Hoxha këtë. Në të vetmen që ka qenë i sinqertë, i ka quajtur kamp përqendrimi dhe OKB, me angazhimin direkt të Sekretarit të Shtetit britanik ka rezoluta për kampet e përqendrimit në Shqipëri.
Kampe, në të cilat varroseshin të gjallë njerëz.
Kampe, në të cilat për të përmbysur misionin e tyre, shfarosjen, nuk kursenin asnjë gjë.
Këto kampe u ngritën nga Kamza, Lezha dhe gjer në jug. Por Vloçishti dhe Tepelena ishin dy më mizoret.
Aq sa çnjerëzore është barbaria në këto kampe, aq e madhërishme është qëndresa e të internuarve në këto kampe, e atyre burrave dhe grave, të cilët bënë gjithçka për të ruajtur dinjitetin e tyre.
Për të ruajtur dinjitetin e familjes së tyre.
Ky libër i Simon Mirakës, i serisë ‘Rrno për me tregue’, është një kontribut i madh në njohjen e këtij kaluari. Rreshtohet tashmë krahas kryeveprave të tjera siç është trilogjia e Fatbardha Saraçit, një apoteozë e vërtetë kushtuar gruas shqiptare.
Nuk gjendet kund në letërsi një vepër e dytë si ajo, në të cilën të hymnizohet qëndresa e nënës dhe gruas shqiptare në këto kampe.
Simoni e ka përshkruar më vërtetësi të mëdha këtë kalvar.
Ky kalvar është i përshkruar në vepra të tjera nga një seri personalitetesh që vuajtën.
Por kjo letërsi mbushi gjithashtu, ose ngriti një monument, i cili nuk ekzistonte në letërsinë tonë.
Letrat shqipe në shtatin e Prokustit, e fshehën, e injoruan tërësisht këtë dimension.
Ndaj dhe ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës të pakufishëm Simonit, Pjetër Arbonit, Maks Velos, Kasoruhos, Fatos Lubonjës, Fatbardha Saraçit dhe shumë të tjerë, të cilët ngritën këtë monument.
Një monument i të vërtetave shqiptare.
Në qoftë se letërsia socialiste ishte monument i mashtrimit, i falsifikimit, i glorifikimit të të keqes, kjo letërsi është letërsia që u mëson shqiptarëve për kaluarin që ata përjetuan si asnjë komb tjetër në Europë pas lufte”, u shpreh Berisha.