Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Sabah Bizit: Ishte futbollist i përmasave europiane

Sot u nda nga jeta ish-futbollisti i Vllaznisë, Partizanit dhe i ekipit tonë kombëtar, Sabah Bizi.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka postuar në faqen e tij në “Facebook” një mesazh ngushëllimi për legjendën shkodrane, duke e konsideruar si një talent i papërsëritshëm në historinë e futbollit tonë dhe emër i madh i fushës së blertë i përmasave evropiane.

Postimi i Metës

Thellësisht i trishtuar nga lajmi, që kurrë nuk do të doja të merrja, për ndarjen nga jeta të Legjendës së “Vllaznisë”, “Partizanit” dhe të Ekipit Kombëtar, Nderit të Kombit, Sabah Bizi!

Një talent i papërsëritshëm në historinë e futbollit tonë dhe emër i madh i fushës së blertë i përmasave europiane, personalitet i dashur, i respektuar dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e sportistëve të rinj, Sabah Bizi do të nderohet gjithmonë për rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe për trashëgiminë e vyer sportive, që aq shumë e rritën krenarinë dhe imazhin tonë kombëtar.

Në memorien kombëtare sportive ai do të kujtohet si futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit tonë, mesfushori që solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën me teknikën racionale, të milimetruar, me kilometrazh lëvizjeje si askush tjetër, i dalluar për atë pasim të pagabueshëm, organizator e bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e mrekullueshme Bizi, për të gjithë bashkëpunëtorët, komunitetin e dashur sportiv dhe në veçanti për qytetarët e Shkodrës së tij së dashur.

I paharruar kujtimi i Nderit të Kombit, Sabah Bizi!

Të prehet në paqen e merituar!

Share it :