Mediat pranë qeverisë në Tiranë kanë një siklet jo të lehtë këtë fundjavë. Duhet të “justifikojnë” përse nuk pati një ftesë për kryeministrin Edi Rama në ceremoninë e inagurimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Top Channel pa raportuar fare lajmin se për Ramën nuk pati ftesë ashtu si edhe për liderat e vendeve të tjera, ka publikuar një lajm që ditën e inagurimit, pra më 20 janar, Edi Rama ka axhendë tjetër në Forumin Ekonomik të Davosit.Teksa lexon çfarë shkruan TCH, të krijohet përshtypja sikur Rama e kishte të pamundur të shkonte prej axhendës tejet të ngjeshur me forumin në Davos. Në fakt, është thjesht mungesë ftese. Po ta kishte pasur atë ftesë, me siguri që kryeministri shqiptar do të kishte zgjedhur të shkonte në inagurimin e Trump qoftë dhe për një foto sesa të jetë në Davos duke iu dhënë leksione udhëheqësve të tjerë të botës se si duhet zhvilluar ekonomia dhe si duhen adresuar sfidat globale.
Megjithatë ndonëse pa një ftesë të tillë në ceremoninë e inagurimit, Rama e nderoi familjen Trump dy ditë më parë teksa i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të tij, Kushner, i cili parashikon të ndërtojë një resort në ishullin e Sazanit.
Sa i përket ceremonisë së inagurimit, Donald Trump nuk i kushtoi vëmendje aleancave strategjike apo miqësive historike të Shteteve të Bashkuara, por, si gjithmonë bëri me kokën e tij, duke thirrur rreth 200 të ftuar, mes të cilëve 10 krerë shtetesh dhe qeverish. ©LAPSI.al