Gazetari Genc Burimi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi veprimet dhe heshtjen e SPAK-ut lidhur me denoncimet e avokates Adriana Kalaja për tjetërsimin e pronës në Surrel të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.
Ai ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë mes denoncimeve të zonjës Kalaja dhe akuzave të ngritura më herët nga Taulant Balla kundër Sali Berishës dhe Malltezit, duke theksuar se nuk sheh ndryshim procedural mes tyre. Sipas tij, dallimi qëndron vetëm në pozitat e fuqisë dhe pushtetit që mbajnë denoncuesit.Burimi u shpreh i shqetësuar për mënyrën se si sistemi drejtësisë dhe propaganda politike janë përdorur për të favorizuar pushtetarët. Gjithashtu, ai denoncoi mosveprimin e organeve të drejtësisë, duke e quajtur situatën një “republikë bananesh”. Për Burimin, çështja nuk është më juridike, por thellësisht propagandistike dhe një turp i madh institucional. Ai apeloi për ndërhyrje urgjente për të shmangur parashkrimin e kësaj çështjeje dhe për të vënë drejtësinë në vend.
‘E imagjinoni dot tani këtë SPAK, të qëndrojë i heshtur, pasi mori parasysh akuzat që ngriti Taulant Balla, me shkrim, kundër Sali Berishës dhe Malltezit në dosjen “Partizani”?
Nuk shoh sot asnjë dallim mes zonjës Kalaja dhe zotit Balla. Dallimi është që zoti Balla mashtroi, por nga ana proceduriale nuk shoh asnjë ndryshim.
Nuk ka asnjë dallim, nga ana proceduriale, që denoncimi i zonjës Kalaja të mos merret parasysh
Dallimi është se Taulant Balla, kur e bëri denoncimin, e bëri nga pozita e pushtetit, ndërsa zonja Kalaja, kur e bën denoncimin, e bën nga pozita e të papushtetshmes. Dhe vijmë tek fabula e famshme e La Fontaine-it, sipas së cilës, nëse je në pushtet apo në sfera të vogla, nuk gjykohesh njësoj.
Jam i llahtarisur këtë mëngjes nga ato që po dëgjoj dhe i besoj fjalët.
Jam i llahtarisur dhe nuk e kuptoj se si departamenti i propagandës së PD-së – dhe nëse nuk ka, të krijohet – si ka mundësi që është lënë Edi Rama, si papagall, të tallet nga mëngjesi deri në darkë me “Non-Gratën”, ndërkohë që, nën hyqmin e tij, a e dëgjoni ju se çfarë u tha? Gjyqtarët që gjykuan çështjen e pronës së gruas së tij u hoqën nga vettingu.
Në ç’botë jetojmë, që SPAK-u thotë: “Unë laj duart, të merret Prokuroria e Tiranës,” dhe këtë vendim e merrka gruaja e prokurorit të Tiranës. Në ç’botë jetojmë? Kjo nuk është republikë bananesh.
Kjo është republikë kivi-sh. Kjo është republikë ananasesh.
Nuk është më çështje juridike, është çështje propagande. Është një turp të hapet.
Unë dua ta di tani, sepse po afrojnë ato afatet e parashkrimit. Ku do të përfundojë kjo histori, po nuk u vu hunda thellë tani?’- u shpreh Burimi.