Qytetarët janë mbledhur sërish sot në një protestë, ku kërkojnë dorëheqjen dhe arrestimin e kreut të saj, Erion Veliaj, për shkak të aferave korruptive në institucionin që ai drejton.
Kryetarja e Gjykatës të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, gjatë fjalës përpara protestuesve para Bashkisë së Tiranës iu bëri thirrje policëve të parandalojnë vrasjet dhe të mos provokojnë qytetarët.
“Ju policë nga ky grupi që keni ardhur sot, ju qesharakë me skafandra. Është bërë sërish sot një vrasje. Çdo ditë ka vrasje. Nëse krahasohemi me Ukrainën që është në luftë, këtu ka më shumë jetë të humbura. Dhe ju vini këtu për të mbrojtur një bandit si Erion Veliaj. Vini këtu dhe provokoni qytetarët. Jeni për të parandaluar krimin, për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Jeni kthyer në policinë e narko-mafies në pushtet.
Kjo është kambanë alarmi për ju, jo për ne. Ditët për ne janë të bardha. Koha na dha të drejtë. Më 5 nëntor treguam se ishim në rrugën e drejtë. Jemi për Amerikën që është sot, jo për Amerikën e Juri Kim. Jemi për Amerikën e Donald Trump, që mbron familjen, që mbron demokracinë”, tha Kalaja.