Dy kontrata me vlerë kumulative 2.4 miliardë lekë apo 24 milionë euro u lidhën së fundmi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me operatorët Geci dhe Salillari sa i takon dy projekteve të ndara.
Kontrata “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve (Parkimi i QSUT): Ndërtimi i godinës së Parkimit Multifunksional me shume nivele në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT)” fituar nga Sallillari u fitua me vlerën 1.4 miliardë lekë apo 14 milionë euro.
“Projekti përbëhet nga dy ndërtesa me pesë kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Ndërtesa e parë do të shërbejë si parkim për automjetet me një volum 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Kjo ndërtesë do të lidhet me ndërtesën e re të mjekësisë së përgjithshme dhe ndërtesën kryesore të urgjencës. Ndërtesa e parkimit pozicionohet në hyrjen kryesore të QSUT-së, në perëndim të ndërtesës ekzistuese të urgjencës.
Ndërtesa e dytë do të jetë hotel dhe pozicionohet në veri të ndërtesës së parkimit e ndarë me një fugë 15 cm. Kjo ndërtesë ka 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe të logjistikës dhe 1 kat nëntokë që do të shërbejë për ambiente teknike në funksion të hotelit” thuhet në raportin teknik të procedurës së prokurimit.
Sakaq kontrata e dytë fituar nga GECI ka në objekt të saj ““Përmirësimi i Transportit Rajonal, me rrugë lidhëse kryesore (Unaza Durrës, etj): Lidhja e Currilave me rrugën Aleksandër Goga nëpërmjet rrugës Isuf Ferra,(Vangjel Gjurgaj), rruga Vojsava, rruga Prokop Meksi, rruga Abdulla Teku (Sul Demiri) dhe Pjeter Budi” me një ofertë 1 miliard lekë apo rreth 10 milionë euro.Referuar raportit teknik të Bashkisë Durrës nënvizohet se kjo e fundit, në kuadër të zhvillit urban të qytetit dhe përmirësimit të infrastrukturës publike, kërkon të realizojë projektin e zbatimit (studimin dhe projektimin) për objektin: “Lidhja e Currilave me rrugën Aleksandër Goga nëpërmjet rrugës Pjeter Bogdani”. “Kërkesa për zhvillimin e projektit të infrastrukturës bazohet në nevojën për rizhvillimin e zonave kodrinore te Spitallës” thuhet në raport. Rruga në fjalë do të jetë e projektuar për shpejtësi 40km/orë si refernecë e Kodit Rrugor lidhur me zonat e banuara teksa në anësore të saj do të ketë korsi të dedikuara biçikletash.
Raporti teknik vlerëson se për pjesën tjetër, rrugët shtrihen në pjesën Veri – Perëndimore të qytetit te Durrësit, në zonën e Spitallës dhe e cila do te krijoje mundësinë për të lidhur rrugën Aleksandër Goga me Currilat. “ Objekti përbëhet nga 2 rrugë: – Rruga “Isuf Ferra”, e cila ka një gjatësi rreth 1202 ml. – Rruga “Currila” (Vazhdim), e cila ka një gjatësi rreth 342 metra linearë. Aktualisht rruga “Isuf Ferra”, është një rruge me 2 sense lëvizje, e shtruar me asfalt në një gjatësi rreth 800 metra linearë. Kjo rrugë është e amortizuar dhe e dëmtuar në pjesë të ndryshme të saj. Rruga e “Currilave” është e pa asfaltuar, dhe shërben për lëvizjen e banoreve të zonës” thuhet në raport./ Monitor.al