Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së lamtumirë së Kryepeshkopit Anastas, deklaroi se “guximi dhe shpresa ishin dy busullat orientuese që e drejtonin përherë Anastasin në rrugëtimin e tij të admirueshëm, që ishte në krah të njerëzve dhe të drejtave të tyre”.
“Ishte intelektual i besimit, por edhe një shërbëtor i thjeshtë i njeriut që kishte në krah. Ishte një shembull dhe fener i helenizmit. Fener kontributi, fisnikërie dhe thjeshtësie. Një dritë e ortodoksisë dhe jetës së krishterë. Që kur mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, Anastasi gjeti vend të rrënuar nga regjimi autoritar, me të krishterët e persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të lënë në harresë. Ai themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirësie. Një mrekulli e vërtetë mes rrënojave. Gurët që na hedhin ata që luftojnë kundër veprës sonë, thonte me të qeshur, ne i mbledhim dhe ndërtojmë kisha e shkolla”, tha Mitsotakis.
“Nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët. Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe hallkë komunikimin mes dy shteteve. Prandaj, mund të quhet diplomati i dashurisë”, shtoi kryeministri grek.