Në 2013-ën, kur socialistët erdhën në pushtet, premtuan shëndetësi falas. Pra, çdo qytetar që paguante sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të merrte shërbimet mjekësore pa asnjë pagesë. Pas gati 12 vitesh në qeverisje, shëndetësia në Shqipëri nuk është falas. Madje, të dhënat tregojnë se shqiptarët po paguajnë gjithmonë e më shumë për ilaçe.Në vitin që sapo u mbyll, importi i produkteve farmaceutike arriti vlerën e 281 milionë eurove, me rritje 14 milionë ose 5% kundrejt një viti më parë. Kjo do të thotë se më shumë ilaçe janë konsumuar nga qytetarët në këtë periudhë.
Ligjërisht, një pjesë mbulohen nga shteti nëpërmjet rimbursimit të listës së barnave.
Fondi për rimbursimin e medikamenteve kishte vitin e kaluar një tavan prej 120 milionë euro. Vlerë kjo që shënoi një rënie prej 1% kundrejt vitit 2023. Pra, teksa nevoja për ilaçe është rritur, shteti ka paguar më pak për t’iu përgjigjur qytetarëve. Kjo do të thotë se të gjithë ne kemi paguar më shumë për ilaçe.
Më konkretisht, nga 281 milionë euro ilaçe që kanë harxhuar qytetarët shqiptarë për mjekime, shteti ka kompensuar vetëm 120 milionë euro. Çka do të thotë se 161 milionë euro janë paguar nga të ardhurat vetjake të qytetarëve.
Jo vetëm këto të dhëna, por edhe raporte të mëparshme të institucioneve ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë të fundit në Europë për shpenzimet shëndetësore për frymë, nisur nga fakti se pak jepen nga shteti e më shumë përballohen nga buxheti familjar. (A2 Televizion)