Brenda janarit duhet të kishin përfunduar të gjitha hyrjet dhe daljet e unazës së madhe të Tiranës. Por vepra që u hap për qarkullim në fundvit vijon të jetë kantier.
Punimet për unazën e Tiranës kanë nisur në vitin 2010. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, vepra nuk është përfunduar. Por ky fakt nuk e pengoi qeverinë të vazhdonte traditën e ‘inaugurimeve’ të bujshme në vepra të papërfunduara prag zgjedhjesh.
Më 30 dhjetor u hap për qarkullim pjesa veriore e unazës së madhe të Tiranës-segmenti me 7 lote që plotëson rreth 29 kilometrat e gjithë perimetrit të veprës.
“Duke nisur nga sot, unaza është e gjitha e aksesueshme”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. “Kemi akoma disa momente, të cilat janë detaje të vogla siç e shikoni rampat apo gjithçka tjetër që mbaron brenda janarit”, shtoi më tej ajo.
Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranoi se vepra kishte punime të papërfunduara në rampat hyrëse dhe dalëse, ndonëse vepra u inaugurua me bujë.
Punime të papërfunduara janë kryesisht në rampat hyrëse dhe dalëse të saj”, tha ARRSH për Faktoje.al.
Nyjet hyrëse dhe dalëse të unazës së madhe me zonën e Kinostudios, Babrrusë, Paskuqanit dhe Laprakës planifikoheshin të përfundonin brenda 30 ditëve.
Fakt
Verifikimet tregojnë se deri më 28 janar pjesa veriore e unazës së madhe në nyjet hyrëse dhe dalëse të saj rezultoi kantier. Afati i dhënë publikisht sipas ekspertëve nuk mund të arrihet, teksa punimet do të vijojnë.
Një prej tyre është inxhinieri Artur Sulçe, i cili prej vitesh merret me mënyrën e projektimit dhe vlerësimit të rrugëve.
“Këta i hapin para kohe për efekt elektoral, por vepra nuk shërben pa nyjet hyrëse dhe dalëse”, thotë Sulçe.
Për inxhinierin hapja e veprës pa hyrje-daljet nuk i shërben qytetarëve.
“Është njësoj si të bësh një ujësjellës dhe të kesh ndërtuar vetëm depon e madhe, por s’ke shtruar tubat për shpërndarjen e ujit në çdo shtëpi”, argumenton ai.
Unaza e ‘florinjtë’
Unaza e madhe e Tiranës është e gjatë rreth 29 kilometra. Kosto totale e saj përllogaritet mbi 491 milionë euro. Ajo është e ndarë në katër segmente:
- Unaza lindore; 134 milionë euro
- Unaza perëndimore; 64 milionë euro
- Unaza veriore; 170 milionë euro
- Unaza jugore; 123 milionë euro
Segmenti më i shtrenjtë i veprës rezulton unaza e veriut që u hap me bujë në fundvit. Në të përfshihen 8,52 kilometrat nga ish-sheshi “Shqiponja” te mbikalimi i Shkozës. Ky segment është i ndarë në shtatë lote të cilat përllogariten me kosto mbi 170 milionë euro, duke zënë rreth 35% të faturës totale të veprës.
Në këtë segment kosto për 1 kilometër llogaritet 20 milionë euro.
Financimet nga buxheti i shtetit për këtë vepër do të vijojnë përtej vitit 2027. Në listën e parashikimeve buxhetore për investimet publike në vitet 2025-2027, Ministria e Financave planifikon 14 kontrata apo shtesa kontratash për unazën e Tiranës.
Për dy vitet e ardhshme buxheti planifikon 8,8 milionë euro financime. Në 2027 janë të planifikuara 4,2 milionë euro dhe pas 2027 planifikohen 80 milionë euro financime për punime në këtë vepër.
Financimet e unazës sipas buxhetit
- 2025 4 mln euro
- 2026 1,8 mln euro
- 2027 4,2 mln euro
- Përtej 2027 80 mln euro
Përfundim
Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministres së Infastrukturës Belinda Balluku se “rampat hyrëse dhe dalëse të unazës së madhe do të përfundonin brenda janarit” e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.al