A e zgjidhin problemin për pensionistët “bonuset elektorale” që jep Rama?!

Qeveria do të vijojë me praktikën e dhënies së bonuseve për pensionistët. Kështu deklaroi të mërkurën kryeministri Edi Rama gjatë një konference ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve, ku ai u shpreh se do të ketë edhe ndërhyrje në skemë, por pa prekur themelet e saj.

“Nga një bonus në fundvit, kemi kaluar në dy dhe i kemi lidhur me rritjen ekonomike. Duam që këto bonuse të vazhdojnë”, tha Rama.

Qeveria ka dhënë çdo fund viti nga 3,000-5,000 lekë bonus për pensionistët, por përballë protestave të pensionistëve për pensione dinjitoze, qeveria e trefishoi dhe premtoi një bonus tjetër në pranverë, gjë që u konsiderua si “shpërblim elektoral” duke pasur parasysh që zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 11 maj.

Por mbështetja e skemës së pensioneve kryesisht te bonuset, pa indeksime të mirëfillta sipas inflacionit shihet me kritika nga ekspertët, të cilët e konsiderojnë një model të paqëndrueshëm në plan afatgjatë.

Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, tha për Citizens se modeli aktual, ku pensionet mbështeten nga kontribuuesit aktivë, ka dobësi të theksuara, për shkak të emigracionit, plakjes së popullsisë, rënies së lindshmërisë dhe kontributeve të ulëta fiskale.Një model më efikas mund të përfshijë elemente të fondit të pensioneve, të cilat mund të investohen si alternativa që sigurojnë stabilitet më të madh,” sugjeroi Gjokutaj, i cili rekomandoi gjithashtu diversifikimin e fondeve dhe forcimin e skemave të pensioneve private vullnetare, si një model i suksesshëm që zbatohet në vende të tjera evropiane.

Sipas Gjokutajt nëse këto masa aplikohen së bashku, mund të arrihet një stabilizim i sistemit të pensioneve dhe fitohet kohë për të përgatitur reforma afatgjata.

“Ndërhyrjet duhet të jenë të targetuara, duke siguruar që pensionistët në nevojë dhe kontribuuesit aktivë të përfitojnë në mënyrë të drejtë, ndërkohë që ruhet qëndrueshmëria e skemës,” vijoi Gjokutaj.

Pavarësisht se po shkon drejt përfundimit të mandatit të tretë qeverisës, Rama ia faturoi përgjegjësinë për situatën aktuale me pensionet opozitës.

“Është një plagë e vjetër e lënë nga opozita, që sot ofron vetëm premtime imagjinare,” tha Rama.

E pranishme në konferencë, drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor vlerësoi reformën e vitit 2014, duke theksuar përmirësimet në skemën e pensioneve. Megjithatë situata aktuale nuk lë vend për optimizëm.

Zyrtarisht Shqipëria numëron rreth 791 mijë pensionistë prej të cilëve rreth 92% e tyre përfitojnë pensione nga skema e detyrueshme e sigurimit shoqëror, invaliditetit apo pensionet familjare, pjesa tjetër prej 8% përfitojnë pensione nga programet e veçanta të trajtimit në kategoritë e ish-ushtarakëve, punonjësit e minierave, naftëtarëve etj.

Mesatarisht pensionet variojnë nga 11,500-19,000 lekë, shumë larg minimumit jetik për të përballuar shpenzimet mujore./ Arbjona Çibuku / citizens.al /

A e zgjidhin problemin për pensionistët “bonuset elektorale” që jep Rama?!

Inceneratori i Tiranës lë pas një gropë

A e zgjidhin problemin për pensionistët “bonuset elektorale” që jep Rama?!

Mori votat e Senatit, Pam Bondi betohet

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko