Në aktualitetin tonë qeverisës me ‘jetën prapa perdeve’ të regjimit të Edi Ramës

Nga Ndriçim Kulla/

Demokracia është një luftë e përjetshme dhe e  nëndheshme  kundra oligarkive që arrijnë të lindin gjithmonë nga përbrenda.   Një luftë të tillë, duket se e ka humbur sot demokracia shqiptare, përderisa ka mundur të japë “fryte të pjekur”, në jetën tonë shoqërore një mpleksje e rrezikshme e oligarkisë me demagogjinë në pushtet. Për të konkretizuar fenomenin do të shqyrtojmë në fillim, modelin klasik të demokracisë athinase, ku gjenden shembuj mjaft kuptimplotë të ç’mitizimit të këtij aspekti. Më i spikaturi është ai i Aristofanit, teksa përmend kontrastin e ashpër midis dy demagogëve të asaj kohe për kontrollin e popullit. Pasi edhe në epokën e saj më të artë (në shekullin V), demokracia arriti të “nxjerrë” nga gjiri i saj një oligarki të caktuar, të personifikuar madje tek vetë Perikliu, tek “princi i demokracisë”, siç quhej atëherë. E shpjegon më mirë Aristoteli,   kur përshkruan përplasjen për pushtet midis Simonit dhe Perikliut dhe mjeteve të përdorura prej tyre për të fituar mbi njëri-tjetrin. Simoni, që zotëronte një pasuri përrallore, mbante shumë njerëz të “demos-it” me ushqime e para. Kushdo mund të shkonte në shtëpinë e tij e të merrte çfarë të dëshironte. Nuk kishte limit në përdorimin e pasurisë për askënd. Perikliu, që nuk mund ta përballonte dot një gjë të tillë, thjesht mendoi të shpërdoronte funksionet publike të shtetit, duke i dhënë kështu origjinë “shthurjes së institucioneve”, dhe “shprishjes së dokeve dhe zakoneve” të vendit.  Në të dyja rastet, vota u korruptua po njëlloj. Nëse do ta reflektonim këtë shembull me demokracinë shqiptare, mund të themi se ajo e ka shfaqur herë pas here një qëndrim të tillë të kokë-përmbysur në raport me sjelljen ndaj qytetarëve. Në veprën “Paqja e përjetshme” Kanti formulon atë që, sot nga të gjithë filozofët e politikës, njihet si “forma transhendentale e autoritetit” (pra, e së drejtës publike): “Të gjitha aksionet që kanë të bëjnë me të drejtën e njerëzve, maksima e të cilave nuk pajtohet me transparencën, janë të padrejta”. Në këtë kuptim, “kriteri kantian i qeverisjes së mire”, siç njihet përgjithësisht kriteri i mësipërm, konsiston në konsiderimin e demokracisë si një “qeveri të fuqisë publike në publik”, pasi veprimet që kërkohet t’u fshihet qëllimi d.m.th. motivi që i vë në lëvizje, i përvidhen kontrollit të arsyes dhe opinionit publik. Pushteti, kësisoj, është shumë më i dukshëm, sa më afër qytetarëve që të jetë. Këtë e rrok mrekullisht Habermasi kur tregon se si transformimi kah një shteti modern konsiston në një “ngritje shkallësore të sferës private të publikut”, ose e thënë ndryshe, në spikatjen publike të sferës private.Pushtetit nuk i pëlqen transparenca,pra gjërat e bëra nën dritën e diellit. “Sekreti qëndron në bërthamën më të fshehur të pushtetit” është një thënie proverbiale e Elias Canettit, që mund të lexohet edhe kështu: “ Pushteti qëndron në bërthamën më të fshehtë të sekretit”. Në këtë kuptim, “pushtetet e padukshme” shqiptare sot mund të personifikohen edhe me “sekretësinë” e tyre, diçka kjo që nuk ka të bëjë vetëm me “arsyen e shtetit” siç ndodhte gjatë kohës së regjimit komunist, por kryesisht le të themi, me “arsyen e pushtetit” që synon të mbështillet me “sekretësi”, për të mbrojtur interesat e veta nga “sytë e padëshiruar” të publikut. Ja, pse demokracia jonë nuk arriti dot të kapërcejë “pushtetin e padukshëm”, asaj që njihet në fakt si “nën-qeveria” ose ndryshe qeveria e ekonomisë. Mos-aftësia për të luftuar këto pushtete bëri që në epoka të veçanta të alternoheshin qeverisje me dukshmëri të pjesshme me qeverisje me dukshmëri opake, pasi mjaft prej “pushteteve” po i zhvillojnë paktet e tyre “prapa perdeve të skenës”. Është kjo e fundit ajo që fsheh bërthamën, sepse duke u afruar gjithmonë e më shumë me skenën, pra me publikun, dukshmëria rritet, veçse bashkë me dukshmërinë dhe iluzioni. Ajo që shihet në skenën teatrore nga kjo qeveri  e kthyer plotësisht në regjim   , është pikërisht një “përfaqësim”: është ajo që kërkohet të shihet, jo ajo që duhet dhe mund të shihet, po të mos ishin perdet.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *