Deklarata e koordinatorit të rajonit të Tiranës, Klevis Balliu:
Emisioni investigativ PLUG, vërtetoi dhe një herë se si e ka kapur Rama Drejtësinë me anë të vettingut politik.
Rasti i Altin Dumanit, i cili kaloi Vettingun pa deklaruar mënyrën se si i ka blerë tre apartamente, është shembulli më i qartë. Sipas dokumenteve të bëra publike nga emisioni investigativ, Dumani jo vetëm që nuk e justifikon me rrogë këtë pasuri, por në mënyrë fiktive ka deklaruar se ka blerë shtëpi në zona elitare të Tiranës me çmime që as në periferi nuk ekzistojnë.
Duket se komisioni i vettingut, në rastin më të mirë nuk ka kryer hetim të thelluar për këtë çështje, dhe në rastin më të keq nuk ka kryer hetim fare.
Altin Dumani sipas të dhënave zyrtare e ka bërë deklaratën e parë të pasurisë në vitin 2004 duke deklaruar në pronësi 1 makinë në vlerën 300 mijë lekë, dhe 500 mijë lekë cash nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes, si dhe një depozitë bankare në vlerën 1035 usd.
Në vitin 2005 deklaron kursime të paspecifikuara prej 1 milionë e 100 mijë lekë, në 2 milionë e 168 mijë lekë të ardhura nga pagat e tij dhe bashkëshortes. Në vitin 2006, deklaron kursime prej 1 milionë e 200 mijë lekë nga të ardhurat e rrogave, që kapin vlerën 2 milionë e 230 mijë lekë. Pra, ka kursyer më shumë se gjysmën e të ardhurave nga paga, një përpjesëtim rekord i kursimeve me të ardhurat.
Po këtë vit deklaron një kredi në vlerën 5 milionë lekë, e rimbursuar pjesërisht nga Ministria e Financave. Në vitin 2006 deklaron se ka porositur një apartament 127.14 m2 në Tiranë me vlerën 50.000 euro. Apartamenti është në një nga zonat e preferuara të Tiranës dhe çmimi që Altin Dumani e ka blerë dëshmon qartë për një manovër financiare. Pallati ku Dumani ka apartamentin me çmim simbolik, është ndërtuar nga shoqëria FLEG dhe ndodhet pranë Parkut Olimpik.
Një habi tjetër përveç çmimit është edhe fakti se Dumani ka jetuar në atë apartament që nga tetori i vitit 2004, pra 2 vite para se ta blinte dhe të lidhte kontratën. Vetë Komisioni e vëren këtë por nuk i mjafton për të ngritur dyshime.
KPK thotë se e ka kryer verifikimin e pasurisë, por në formularë vlera prej 14 milionë lekësh e shpenzuar për arredim, 2 vite para blerjes së këtij apartamenti, nuk gjendet në deklaratat e pasurisë. Të padeklaruara janë edhe banimi aty, apo marrëdhënia me subjektin ndërtues.
Sa i takon vlerës së apartamentit, 390 euro /m2, Komisioni e justifikon me kontratat e ngjashme të pronësisë në atë zonë, por pa sjellë asnjë referencë. Atë verifikim që nuk e kryer KPK e kanë bërë gazetarët e PLUG:
Ndërtuesi ku Dumani ka blerë apartamentin, në të njëjtën kohë, por në një zonë më periferike i ka shitur një klienti tjetër një m2 me 530 euro.
Shtetasi A. A. bleu një apartament në Farkë të Vogël, zonë në periferi, me 530 euro/m2, ndërsa Dumani pranë Kompleksit Dinamo me 390 euro/m2.
3 vite më pas Dumani blen një ambient biznesi, me vlerë 28.000 euro. Për këtë blerje të vitit 2009, KPK shprehet se Dumani ka tërhequr 1 milionë e 71 mijë lekë nga banka dhe pjesën tjetër e ka paguar nga kursimet cash në vlerën 1 milionë e 650 mijë lekë. Madje sipas KPK, kreu i SPAK në vitin 2009 ka gabuar në deklarimin e gjendjes cash, dhe merr përsipër t’ia justifikojë burimin. Nga analizimi i deklaratës në ILDKPI, rezulton se Dumani në vitin 2009 ka deklaruar një huadhënie kunatës në vlerën 1 milionë lekë, shume e papërfshirë në analizën e KPK.
Në vitin 2015 Altin Dumani bën një tjetër blerje, një apartament me vlerën 41.000 euro për një sipërfaqja 85.7 m2. Sërish KPK bën makinacione për të justifikuar Dumanin.
Duke konstatuar se çmimi i deklaruar nga Altin Dumani është edhe nën koston e ndërtimit, KPK zhduk nga përllogaritja 10 m2 të ambienteve të përbashkëta, e në këtë mënyrë i rrit vlerën apartamentit për m2.
KPK falsifikon të dhënat, pasi dihet se në Shqipëri kur blihet një apartament sipërfaqja e përbashkët shitet me çmim të njëjtë si banesa.
Altin Dumani i ka dhënë me qera pronat e lartpërmendura, duke deklaruar se jeton në vilën e ndërtuar nga vjehrri në njësinë nr. 6 në Tiranë. Për këtë shtëpi, Altin Dumani ka deklaruar para KPK-së se është ndërtuar me kursimet e prindërve të gruas dhe nga pastori G. B., dhe fonde të kishës Angleze.
KPK është mjaftuar me deklarimet e Dumanit dhe nuk ka kryer asnjë analizë të burimeve në fjalë.
Kush i ka bërë gjithë këto pirueta për të fshehur shkeljet dhe ndihmuar Dumanin?
Vetë Roland Ilia, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Erjon Veliajt, dhe kandidati i tij për deputet me ish-partinë e tij G99.
Dy anëtarë të tjerë të Komisionit, Firdes Shuli, e denoncuar për falsifikim të formularëve dhe Etleva Çiftja, e denoncuar për mosdeklarim të pasurisë.
Të tre këta, me shpejtësi rekord e kaluan Altin Dumanin në vetting për vetëm një javë.
Është pikërisht ky komision që nuk ka mbyllur sytë për ndërtimin e një dhome shtesë në pallatet e vjetra për prokurorë apo gjyqtarë të tjerë, por që i mbyll të dyja sytë për apartamentet luksoze apo vilën e Dumanit, Krajës apo të tjerëve.
Kalimi i vettingut dhe vendosja e Dumanit në krye të drejtësisë është qartazi pjesë e axhendës politike të Edi Ramës për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të kapur drejtësinë.
Ndërsa Ramës dhe Veliajt ua dimë mirë huqet, ky është standardi i SPAK dhe Dumanit, aleatit të tyre.