Sektori i bujqësisë është kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit, por merr mbrapsht 1/100 e asaj që jep. Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi ku prezantoi programin e për bujqësinë. Duke iu referuar shifrave, lideri i PD pohoi se mbështetja e fermerit në Shqipëri është 3-5 herë më e vogël se rajoni, shkruan A2.
“Partia Demokratike shikon te bujqësia një potencial shumë të madh për të ndryshuar jetën e shqiptarëve. Impakti i degradimit të bujqësisë sonë ka qenë me pasoja shumë të rënda, jo vetëm për mijëra e mijëra ferma dhe fermerë që falimentuan, por ka qenë për të gjithë qytetarët. Mbështetja e tij nga shteti është 3-5 herë më e vogël se në Kosovë, dhe po të shtojmë këtu dhe IPARD-in që iu hoqi, si rezultat i vjedhjes së Edi Ramës dhe minitrave të tij”, deklaroi Berisha.
Duke iu rikthyer premtimit të tij për vendosjen e minimumit jetik, Berisha pohoi se çdo i moshuar në fshat do të trajtohet me këtë pagesë mujore: “Fermerit do t’i vendoset pensioni, çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik, nuk do të ketë më pensionist apo shqiptar në moshë pensioni që do të marrë më pak se 200 euro. Buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë do të trefishohet dhe do të arrijë në dy vitet e para mesataren e buxhetit të vendeve të rajonit”.
Por, kjo nuk do të jetë masa e vetme e ndihmës, pasi lideri i opozitës premtoi edhe subvencione: “Do të subvencionohet çdo bimë, çdo kokë bagëti dhe çdo prodhim. Taksa ndëshkuese për prodhimet bujqësore në sektorin e përpunimit do të hiqen, do barazohen. Sot ka taksë vetëm në shitje në mënyrë absurde. Ballkani i Hapur do hidhet në kosh. Ballkani i hapur shkatërroi një nga faktorët kryesorë, konkurrencën e ndershme në Ballkan”.
Këto deklarata Berisha i bëri gjatë një tryeze me ekspertë ku u prezantua programi për bujqësinë dhe blegtorinë që do të zbatohen në 2025-2029 nëse Partia Demokratike merr pushtetin në 11 Maj.