Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë e bashkimit të forcave opozitare në një front të gjerë për të përballuar regjimin e Edi Ramës. Gjatë mbledhjes me aleatët e Federatës së Bashkuar, ai u shpreh se partitë politike, pavarësisht dallimeve mes tyre, duhet të lënë mënjanë problemet e brendshme dhe të bashkohen për të luftuar kundër qeverisë aktuale.
Berisha ngriti shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, duke parashikuar se ky fenomen mund të sjellë boshatisjen e Shqipërisë.
“Ne kemi në dorë bashkimin tonë, ndaj dhe ne duhet të bashkohemi me të gjithë potencialin që kemi. Edhe partitë e tjera janë të ftuara, të lënë problematikat me njëri-tjetrin, të bashkohen me ne, se çdo problem që kanë me njëri-tjetrin nuk krahasohen kurrë me problemet që kanë shqiptarët me Edi Ramën.
Ato janë probleme të ekzistencës së kombit shqiptar sepse këta 1 milion e 99 mijë që u larguan në hapësirën e BE për 10 vite, 4 vite do marrin edhe 1 milion të tjerë dhe Shqipëria do boshatiset plotësisht.
Ndaj, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, vlerësimin tim për ju, partitë tuaja, u ftoj të bëjmë çdo përpjekje për një front sa më të gjerë.
Të gjitha kushtet për një front ekzistojnë. Të këqijat apo të zezat që ky regjim u ka bërë shqiptarëve janë një thirrje për ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar të bashkohet kundër tij.
Të gjithë potencialet që kemi si parti, të bëjmë çdo gjë me shqiptarët jashtë vendit, janë 1.5 milionë votues.
Është e domosdoshme që të kontaktohen, nuk janë njerëz pa adresë ata. Ata të gjithë kanë një adresë.
Nuk janë njerëz që kanë shkëputur çdo lidhje me Shqipërinë. Jo, kush më shumë e kush më pak, të gjithë i kanë ruajtur lidhjet me Shqipërinë.
Është në detyrën tonë t’ua gjejmë ato lidhje, t’i kërkojmë që të regjistrohen dhe të votojnë kësaj here për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.
Ndaj dhe unë po e mbyll përsëri me thirrjen time për forcat e tjera politike, por të gjithë faktorët, të gjithë ata që mbrojnë kauza të drejta, të bashkohemi në një front të përbashkët kundër kësaj të keqe që ka pllakosur Shqipërinë”, u shpreh Berisha.