rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) kanë organizuar një protestë para SPAK-ut, duke kërkuar që ky institucion të nisë hetime urgjente për kryeministrin Edi Rama pas deklaratave të forta të ish-numrit dy të qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, të cilat kanë nxjerrë në pah elemente të korrupsionit të lidhur me qeverinë.
Protestuesit kërkojnë që hetimet të bazohen në fakte dhe provat e paraqitura nga Ahmetaj, që janë të mjaftueshme për të zbardhur abuzimet me pushtetin.
Në protestën e zhvilluar para SPAK-ut, të rinjtë e FRPD theksuan se deklaratat e Ahmetajt nuk mund të kalojnë pa një hetim të plotë dhe të paanshëm. Ata kërkuan që drejtësia të veprojë dhe të zbardhë lidhjet korruptive të kryeministrit Rama, duke theksuar se mungesa e reagimit të institucioneve krijon pasiguri dhe dëmton qytetarët.
“Ftoj të gjithë të rinjtë e çdo forumi rinor t’i bashkohen kësaj proteste sepse po i bashkohen për hepat e tyre dhe jo për interesa personale të disa individëve.
Ne pamë që zoti Rama shpenzonte 30 mijë euro për një shishe vere, kështu që ne nuk mund të heshtim, ne nuk mund të mbyllim dot sytë, nuk mund t’i mbyllim dot veshët dhe nuk të mbyllim dot gojën, por ne do të flasim dhe do të jemi nëpër sheshe.
Apeli që ne i bëjmë qytetarëve është të jenë me ne në shesh, ne na bashkohen për interesat e tyre, për taksat e tyre të shpërdoruara, për një jetë më të mirë, për një alternativë të besueshme dhe për një qeverisje të denjë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.
SPAK duhet të nisë hetimet urgjentisht për Edi Ramën.
Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë të rinjve të çdo veshje politike, të çdo forumi politik, të shoqërisë civile, të gjithë qytetarëve të dalin në sheshe.
Ne jemi këtu për të hapur gojën dhe për të hapur veshët e zotit Dumani, të SPAK-ut dhe të gjithë prokurorëve”, u shpreh një i ri i FRPD.
Protesta ka mbledhur një numër të madh të rinjsh, të cilët janë bashkuar për të kërkuar drejtësi dhe transparencë nga institucionet e drejtësisë. Ata kanë kërkuar një qeverisje më të pastër dhe të përgjegjshme, që nuk favorizon individë të lidhur me pushtetin dhe që respekton ligjin për çdo qytetar të Shqipërisë.