Dosja e SPAK që çoi në arrestimin e Erion Veliajt zbulon detaje të reja lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij.
Një nga momentet kryesore në dosje flet për lidhjen e çiftit Veliaj-Xoxa me biznesmenin Gentian Sula, i cili është i njohur për kompleksin Kodra e Diellit. Veliaj dhe Sula njihen që nga viti 2004 dhe kanë realizuar së paku tre udhëtime me charter jashtë vendit. Më tej, kur Erion Veliaj ishte ministër i Punës, ai ka punësuar bashkëshorten e Gentjan Sulës, Gentiana Sulën, si zv.ministre.Sipas SPAK, kompania “Agi Kons” e Gentjan Sulës ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që në këmbim, çifti Veliaj-Xoxa ka marrë një vilë në “Marea Resort” në Qerret të Kavajës. Vila nuk është regjistruar në emër të kryebashkiakut apo bashkëshortes së tij, por SPAK ka prova që tregojnë se ata kanë qëndruar aty, duke përfshirë të dhëna nga qelizat telefonike dhe dëshmitë e shoferit të Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të afërt.
Një tjetër biznesmen që ka lidhje me Veliajn është Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”. Ky i fundit ka marrë një leje ndërtimi për një projekt në Yrshek dhe ka kaluar një shumë parash në emrin e dy avokatëve që kanë lidhje me Ajola Xoxën. Pjesa më e madhe e këtyre parave është kaluar në llogaritë e Qendrës HARABEL, e cila kontrollohet nga Ajola Xoxa.
SPAK ka zbuluar gjithashtu se kompania “Palushi” e Meriman Palushit ka marrë leje ndërtimi për një objekt banimi dhe shërbimi nga Veliaj në vitin 2019. Ky biznes ka financuar dy organizata jo-qeveritare, “Eventus” dhe “BYL-A”, të cilat janë nën kontrollin e Ajola Xoxës, me një shumë prej 50 mijë euro.
Në vijim, Sokol Kryeziu, pronar i kompanisë “Gerard-A”, ka blerë 50 milionë lekë piktura në galerinë “NAN Gallery”, e cila, sipas SPAK, është nën kontrollin e Ajola Xoxës. Kryeziu ka pasur një histori të punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Gjelbërimit, ku ka qenë punëtor i thjeshtë.
Fatmir Bektashi, nga kompania “Kontakt sh.p.k.”, e cila ka përfituar leje ndërtimi nga Bashkia, ka financuar një udhëtim për çiftin Veliaj në Roterdam dhe dy aktivitete për OJF “BYL-A” të Ajola Xoxës për organizimin e festivaleve të ICDF. Të gjithë këta biznesmenë janë nën masën e detyrimit për paraqitje.
Në fund, Elman Abule, që është identifikuar si pjesë e skemës së pastrimit të parave dhe firmosjes së faturave të rreme për llogari të kompanive të Ajola Xoxës, është arrestuar dhe është në paraburgim. Të 8 të dyshuarit do të përballen nesër me Gjykatën e Posaçme.