Analiza/ Kur Rama ndjen fundin e tij

Nga Agim Nesho

Më shumë se çdo njeri tjetër, Rama e ndjen se si po shkërmoqet pushteti i tij i korruptuar, për të cilin kanë kontribuar si lidera të fuqishëm ndërkombëtarë të larguar nga pushteti – si Tony Blair, Soros, Blinken – por edhe nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, kamikazë, që i shërbejnë për të mbajtur kullën e tij të pushtetit të korruptuar.

Rama kishte kohë që e kishte shitur Erion Velinë, skandalet e të cilit kishin qelbur fasadën e rreme të pushtetit të tij të korruptuar. Ai e kishte bërë këtë me Saimir Tahirin, pasi e kishte futur vetë në skenarin e kanabizimit të vendit; Dakon, pasi e kishte përdorur për të koordinuar bandat për të vjedhur zgjedhjet; Beqajn për të rrjepur mjekësinë; Kokën, për ti mbyllur aferën korruptive të inceneratorëve, ku vetë ai ishte aprovuesi i projektit famëkeq të vjedhjes së shekullit.

Të gjithë lejtnantët e tij u sakrifikuan pasi i “dehu” me modelin e tij korruptiv të përfitimeve nga pronat dhe financat publike për tu fuqizuar për të mbajtur pushtetin. Pasi diskretitohen në opinionin publik si hajdutë, vjedhës të zgjedhjeve, Rama i flak si leckë për të shpëtuar veten e tij.

Kamaleoni Rama pasi i flak përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e korruptuar, përpiqet ti mbrojë ata për të mos demotivuar partinë dhe nga frika që ata të mos kthehen dhe ta nxjerrin mbretin lakuriq. Pasi shkatërroi PS-në, duke sjellë një sekt si ai i Rilindjes për të shkatërruar vendin, vjedhur dhe larguar shqiptarët në masë, sot kërkon një mandat të katërt me kukulla të reja, të cilat duhet ti përdorë për të mbrojtur pushtetin e tij të degraduar. Si çdo diktator, ai kërkon të zhdukë dëshmitarët e qeverisjes së tij.

Rama e hodhi në plehra Erion Velinë vetëm atëherë kur pushteti i tij ishte në rrezik dhe po investigohet nga SHBA si një surrogat i Soros dhe projekteve të tyre për të përdorur drejtësinë si një armë për të mbytur demokracinë, goditur opozitën dhe përhapur ideologjinë e ekstremit të majtë për të shkatërruar vlerat e demokracisë, familjes dhe shoqërisë. Ai e sakrifikoi Erionin për të treguar se vëllai i Alex Soros përfundoi në burg nga drejtësia e tij e “pavarur”. Si çdo diktator, ai nuk do dëshmitarë në aferat e tij.

Kjo është përpjekja e tij e fundit për të shpëtuar pushtetin e tij kriminal, që përkon me nevojën e burokratëve të Departamentit të Shtetit të Blinken që duan dëshpërimisht të justifikojnë shpërdorimin e fondeve të SHBA-së për një drejtësi të orkestruar për të mbajtur pushtetin autokratik të Edi Ramës.

Sot regjimit autokratik të Edi Ramës nuk i ka mbetur asnjë kartë për të fshehur karakterin kriminal të tij. Atë nuk mund ta shpëtojë as dhënia e territorit Shqiptar për të ledhatuar Melonin, as me koncesione anti-kombëtare dhe as me lëpirjen e tij për të bashkëpunuar me Vucic në dëm të interesave kombëtare dhe Kosovës.

Ai ka kohë që kërkon të blejë influencë në administratën Trump por duket që dyert janë mbyllur. Ai po afrohet edhe të bëjë shërbime të tjera, si vetë-ofrimin për marrjen e popullsisë palestineze apo të krijojë shtetin bektashi për të mundësuar strehim në territorin e tij. Përpjekja për të blerë influencë me ishullin e Sazanit duket se nuk e shpëton nga imazhi i tij i errët i korrupsionit, i përdorimit politik të tij me deklaratën e tij se “Trump është rrezik për SHBA dhe qytetërimin”, apo përkrahjen pa rezerva të Kamala Harris në fushatën elektorale.

Edi Ramës sot i ka mbetur vetëm një lëvizje: Të japë dorëheqjen. Ai nuk mund të presë të hapen letrat edhe një herë për çështjen McGonigal, apo për dhënien e licencës për kazino përfaqësuesve të Sinaloas dhe lejimit të pastrimit të parave të pista në Shqipëri. Ai duhet ta lejojë SPAK-un ta arrestojë për gjithë shpërdorimet që i ka bërë këtij populli, për PPP-të korruptive, për aferën e Portit të Durrësit, për 50 milionët e tunelit të Llogarasë, etj, etj.

Po ta bëjë tani, mundet që Dumani ti shpëtojë lëkurën dhe ta dënojë për verën mbi 33 mijë euro dhe 20 milionshin e Air Albania. Ndryshe, era e ndryshimit të 11 Majit do ta fshijë nga historia.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *