Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij para Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke theksuar rëndësinë e fitores në zgjedhjet e 11 majit. Ai e lidh këtë betejë politike me zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht me rikthimin e Donald Trump-it në pushtet, të cilin e cilësoi si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, ju anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD.
Një përshëndetje shumë të përzemërt, të gjithë anëtareve dhe anëtarëve të PD, mbështetësve të saj kudo që janë, në Shqipëri dhe botë.
Ne mblidhemi sot në një kohë kur sytë, mendja dhe shpirti i shqiptarëve dhe jo vetëm i shqiptarëve, të gjithë miqve dhe partnerëve tanë, janë të drejtuar nga PD dhe fitorja e saj në zgjedhjet e 11 Majit.
Inaugurimi i Presidentit Donald Trump me 20 janar, fitorja e tij me 5 nëntor 2024, shënojnë rikthimin më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në tërë historinë e njerëzimit, në kuptimin e rikthimit me votën e lirë.
Ky rikthim u përball me një armiqësi të egër, të ekstremit të majtë marksist dhe postmarksist në SHBA, në shumë e shumë vende të botës, përfshi dhe Shqipërinë. Ky rikthim u përball me makinerinë më gjigante, manipulimit, mashtrimit të medieve më të mëdha dhe kompanive të polleve më të mëdha në botë.
Në kushtet e një mrekullie historike, Presidenti Donald Trump, ekipi i tij arriti të bëjë për vete mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Amerikës.
Në fushatën e tij, një nga deklaratat më kryesore ishte se, për SHBA-të armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm. Ai komandant i Ushtrisë më të fuqishme të botës, i vendit udhëheqës të botës së lirë, në hierarkinë e rreziqeve për vendin e tij, renditi armikun e brendshëm i cili ishte ekstremi i majtë, marksist post marksist i personofikuar mbi të gjitha me një monstër siç është Xhorxh Sorosi dhe sorosianët e tjerë.
Në këtë kontekst, presidenti e tha vetë dhe mijëra të tjerë e kanë përsëritur, se Zoti e shpëtoi atë që ai të shpëtojë Amerikën dhe botën nga ky rrezik i paimagjinueshëm.
Ky rrezik që u lëshua me një agresion të papërmbajtur kundër familjes, kundër sipas dogmnës së Marksit për një botë pa kufi, por tashmë dhe pa gjini. Një agresion i paparë në histori ndaj identitetit gjinor të racës njerëzore.
Me një shpejtësi dhe vendosmëri absolute, duke patur parasysh pasojat e mëdha planetare të agresionit të ekstremit të majtë, marksist dhe postmarksist ai, po ndërmerr çdo ditë dekrete dhe vendime që synojnë ti japin përgjigjen më të shpejtë më të merituar të këtij armiku të egër të lirisë”, u shpreh Berisha.