Kryeministri Edi Rama udhëzoi publikisht Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, vartësin e tij, Artur Metani, që të nisë procesin ndaj gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Bani. Refreni që ne si maxhorancë nuk komentojmë vendimet e drejtësisë tashmë vate në koshin e plehrave. Por problemi është diku tjetër. Partnerët.
Kur Sali Berisha sulmonte SPAK dhe reformën në drejtësi, partnerët ishin gjithmonë aty për të mbrojtur investimin e tyre duke lëshuar reagime zyrtare të menjëhershme.
Por Sali Berisha vetëm fjalën ka. Kur në lojë hyn maxhoranca, problemi bëhet më kompleks. Sepse maxhoranca ka pushtetin dhe kryeministri nuk u fsheh fare kur i tha Metanit që të hetojë Banin dhe Dumanit që të hetojë se si gjyqtari i dha “Bufit të kënetës” detajet e dosjes së Toyota Aurisit. Madje, i parlajmëroi edhe që të mos e kruajnë me telefonin e tij.
A do të reagojnë partnerët me qëndrime zyrtare? A do të lëshojë ambasada e SHBA-së deklaratë në mbrojtje të SPAK dhe gjyqtarit që po kërcënohet nga ekzekutivi?
A do të dalë Gonzatua i BE-së përpara gazetarëve për të mbrojtur reformën në drejtësi nga sulmet e qeverisë? Po inglizët?
Më tej akoma, a do të reagojnë të urtët e paanshëm të KLP,-së, KLGJ-së etj.. ndaj sulmeve haptazi kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, siç reagonin me zell kur ato i bënte Berisha?
Të gjithë në udhëkryq. Ndërkohë në ambasadën amerikane dikush tani do të jetë duke shkruar një deklaratë si më poshtë;
“Përshëndesim dënimin nga KLP-KLGJ të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut dhe GJKKO në ditët e fundit.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.
SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.”
Apo jo?
Për tekstin nuk kanë nevojë të lodhen shumë se e kanë gati, nga reagimet e mëparshme kur SPAKU-n e sulmonte Saliu.
Kohëra interesante janë këto.
Por ndërkohë duhet thënë se partnerët, veçanërisht amerikanët, kanë dhe një motiv shtesë për të reaguar.
Këtu u vodhën dhe lekët e ambasadës.
Kapitali.al