Kalaja: Si Rama dhe Fidel Ylli i partisë falsifikuan firmat në KOKSH dhe përdorën fondet publike për qëllime politike

DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARJA E KOMISIONIT TË APELIMIT NË PD, ADRIANA KALAJA

Pasi ka kapur të gjitha pushtetet, Kryetari i ‘çetës së babëzisë’ ka filluar punën për kapjen e sportit, konkretisht të Komitetit Olimpik Shqiptar.

Për këtë nuk mund të gjendej shërbëtor më besnik se Fidel Ylli, zgjedhja e të cilit si President, u kundërshtua në gjykatë nga ish-Presidenti, Viron Bezhani.

Pas konstatimit të falsifikimit të firmave në Mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të KOKSH, Gjykata e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës ka vendosur:

1. Pavlefshmërinë e vendimit të marrë në mbledhjen e Asamblesë të datës 10.01.2021.

2. Heqjen nga regjistri i organizatave si dhe disa masa në lidhje me pagesat.

Ashtu siç nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, nuk njeh as vendimin e Lozanës.

Për këtë qëllim e ka dërguar në Gjykatën e Apelit, ku vendimi është shtyrë plot 4 herë.

Ndërkohë, Federata Shkollore si dhe Federata Universitare i janë drejtuar MASH, Parlamentit si dhe SPAK për shkeljet ligjore të KOKSH, por asnjë reagim.

Lufta e Ramës dhe Fidelit të tij, me yll në ballë, për ta kapur edhe KOKSH-in, si gjithmonë, bëhet për paratë.

Për të mos patur vonesa apo pengesa në kalimin e milionave Rama dhe Ylli kanë shmangur edhe Thesarin e Shtetit.

Që në krijim, KOKSH ka patur dy forma të ardhurash për realizimin e veprimtarisë: buxheti i shtetit dhe të ardhurat që vijnë si anëtar i organizatave botërore dhe Europiane të lëvizjes Olimpike.

Sa u përket fondeve të buxhetit të shtetit, që nga krijimi i KOKSH e deri në vitin 2020, kalonin nëpërmjet Thesarit të Shtetit. Të ardhurat nga organizatat ndërkombëtare janë menaxhuar nëpërmjet llogarive rrjedhëse të KOKSH në bankat e nivelit të dytë.

Në vitin 2022, me VKM nr.893 datë 27.12.2022, përveç fondeve të akorduara në fillim të këtij viti, KOKSH i akordohet fondi 250,000,000 lekë për projektin ‘Ekipet sportive në shkolla’. Sipas VKM këto fonde kalojnë direkt në llogarinë e KOKSH.

Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Kjo është një mënyrë që qeveria, nëpërmjet Yllit Olimpik të partisë, të përdorë fonde publike për punë politike, të mbushë sallat e takimeve të Ramës, siç ndodhi në takimin me të rinjtë në Pallatin e Koncerteve, që u mbush me fëmijë shkollash, që i nisnin për ekskursion në Tiranë e përfunduan duke parë ‘arushën e Rilindjes’.

Organet e drejtësisë duhet ta hetojnë sa më parë këtë shkelje të ligjit dhe aferë korruptive, duke proceduar gjithë personat përgjegjës!

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *