Berisha: Rama mobilizoi miliona dhe avionë për foton e munguar me zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka reaguar edhe për foton e munguar të Edi Ramës me zv.presidentin e SHBA në Mynih. Ai tha se, Edi Rama mobilizoi miliona dhe avionë për foton e munguar me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance. Berisha gjatë deklaratës për mediat ka folur edhe për organin e akuzës.

Qëndrimi i PD në themel është shteti ligjor, shteti ligjor dhe mbi të gjitha shteti ligjor. Për PD-në, shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Është kushti i të gjitha kushteve për realizimin me sukses të të gjithë programit të saj.

Në këtë kontekst, unë besoj fort tek shqiptarët se një prokurori që arreston 3 liderët politikë të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandatet e opozitës, të dhëna nga zgjedhjet, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera.

Por për ta përmbledhur, prokuroria që arreston liderët e opozitës që Edi Rama të marrë mandatin, dhe nuk po e them unë këtë këtu, besoj se këtë e tha para Europës dhe botës zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, i cili deklaroi në Mynih se ju nuk mund të fitoni një mandat demokratik- mund ta rrëmbesh, por demokratik është fjala- duke censuruar oponentët tuaj apo duke i burgosur ata, qoftë ai dhe lideri i opozitës.

Unë iu ftoj ju, ftoj shqiptarët, a i përshtatet njeriu më shumë këto fjalë profetike të zëvendëspresidentit të SHBA në Mynih, JD Vance, se sa Edi Ramës?

Besoj se e keni të qartë se pikërisht në këto qëndrime është edhe ajo fotoja e munguar.

Për atë foton e munguar, që ta dini ju miq, u mobilizuan aviona dhe miliona, por ajo fatmirësisht nuk shkrepi.

Dhe jo vetëm nuk shkrepi ajo foto, por u nxor nga arkiva një foto tjetër, të cilën e ripostoi një nga dy kryestrategët botërore të fushatave elektorale, Christopher LaCivita.

Fjalët poshtë: Kukulla dhe padroni. Edi dhe Aleksi.

Por çfarë tha padroni? Ajo ishte shumë interesante, padroni tha se po e ripublikoj me kërkesa të shumta. D.m.th po ua plotësoj, meqë i ka hequr, meqë i fshiu nga mediat sociale në kulturën uoke, po ua sjell unë lexuesve.

Ishte e jashtëzakonshme, pavarësisht se ai është kundërshtar, për këtë ia bëri.

Po ajo foto, kishte edhe një shkak tjetër madhor pse mungoi. Po, po, sepse në qindra e qindra miliarda të vjedhur, para të taksapaguesve amerikanë, Xhorxh Sorosit dhe paratë e USAID, në krye të pirmidës së hajnisë ndërkombëtare është Edi Rama me bashkëshorten dhe ish-bashkëshorten.

Tani le të dalë ai sa të dojë, po këto nuk i fsheh dot se janë dokumente ndërkombëtare që faktojnë se Linda dhe Delina kanë përfituar shumë përrallore nga paratë e taksapaguesve amerikanë, qoftë direkt nga USAID, qoftë nga organizata të tjera në të cilat SHBA janë financuesi kryesor.

Tani vijmë tek pjesa përfundimtare. Asnjë diskutim nuk ka që Shqipëria do ketë prokurorinë më serioze në raport me ligjin.

Por Shqipëria kurrë nuk do ketë një prokurori politike. Jo!

Shqipëria ka pasur një prokurori të krimeve të rënda, e cila ka vendosur para ligjit 1050 anëtarë të 204 organizatave dhe grupeve kriminale.

Një prokurori, në të cilin mandatet e arrestit nuk shiteshin në avancë, por ekzekutoheshin në 95 përqind të tyre.

Një prokurori, e cila kishte kërkuar nga gjykata në shumë raste dënime përjetë dhe ishin dhënë dënime të tilla, që i liroi Edi Rama.

Ata që duan të mendojnë se vërejtjet e mia për Skrapin e partisë kanë të bëjnë me…. jo, jo, kanë të bëjnë me një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin”, u shpreh Berisha.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *