Gazetarja Glidona Daci nën sulme denigruese për shkak të detyrës

Pseudonimi i përdorur në kallëzimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, kthyer së fundmi në disa profile Facebook-u, ka sulmuar gazetaren Glidona Daci, me një gjuhë denigruese dhe shantazhuese.

Në të paktën tre postime ofenduese ndaj gazetares së kronikës Daci u drejtuan insinuata seksiste për qëllim diskreditimin profesional të saj. Ajo tha për Citizens.al se ky ishte një sulm që po i bëhet për ta cenuar nga ana morale për shkak të punës.

“Është për shkak të raportimeve që kam bërë për të gjithë veprimtarinë e SPAK-ut në kohët e fundit, për grupet kriminale dhe çështjet e drejtësisë për subjektet politike,” tha Glidona Daci për Citizens.al.

Gazetarja e kronikës u njoh me postimet denigruese nga kolegët, të cilët faqja anonime i kishte shtuar si “miq” në Facebook. Ajo tha për Citizens se e kishte denoncuar rastin në polici duke ia bashkangjitur një denoncimi të mëparshëm për sulme kibernetike.

Glidona theksoi se do ta vërë në vend dinjitetin e saj duke e çuar deri në fund rastin me qëllim që si ajo të mos e përjetojnë të tjera vajza dhe gra të medias.

“Këto e kanë nisur më herët me kolege të tjera, tani e kanë vijuar me mua dhe nesër mund të jetë viktimë një tjetër vajzë. Por ndoshta ajo vajza tjetër mund të mos jetë e aftë psikologjikisht sa unë dhe mund të shkojë situata edhe më keq. Dhe nuk do të ndalem deri sa të zbulohet e vërteta,” u shpreh Glidona për Citizens.al.

Glidona e cilësoi si “punë të mirë” veprimtarinë e deritanishme të policisë, teksa theksoi se pasi të ketë një vendim gjykate autoritetet do t’i drejtohen platformave Tik-Tok dhe Meta për të marrë dijeni se kush qëndron pas profileve të rreme.

Organizatata e medias dënojnë sulmin ndaj gazetares

“Safe Journalist” në Shqipëri e regjistruan rastin si kërcënim në platformën e tyre, duke denoncuar këto sulme pas anonimatit.

“Duke përdorur anonimatin si mjet, kjo faqe angazhohet në shpifje mizogjinistike dhe sulme ndaj karakterit, duke synuar kryesisht gazetarët femra, por duke shtrirë sulmet edhe ndaj të tjerëve. Kjo pasqyron mjedisin gjithnjë e më toksik online për profesionistët e medias në Shqipëri, ku platformat anonime përdoren për të frikësuar, diskretituar dhe larguar vëmendjen nga skandalet politike të rëndësishme”, u shpreh Safe Journalists.

Ndërkohë, nga i njëjti profil online pati postime edhe për gazetaren Mira Kazhani, të cilat e vinin në diskutim suksesin e saj profesional përmes stereotipave seksiste. Rasti u përmend gjithashtu me shqetësim nga Safe Journalists.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisëshprehu shqetësim për shtimin e sulmeve online veçanërisht ndaj vajzave dhe grave gjatë ditëve të fundit.

“Në një klimë të tensionuar politike, vërejmë me alarm rritjen e gjuhës së urrejtjes, intimidimit dhe përpjekjeve për të denigruar gazetarët. Roli i tyre është të raportojnë mbi zhvillimet e përditshme, përfshirë ato të drejtësisë, dhe askush nuk duhet t’i frikësojë apo t’i pengojë në ushtrimin e detyrës së tyre për të sjellë të vërtetën, cilado qoftë ajo,”deklaroi Asociacioni.

Ata u bënë thirrje aktorëve të përfshirë të respektojnë gazetarët dhe profesionin e tyre.

Njëjtë reagoi edhe Këshilli Shqiptar i Medias(KSHM), duke dënuar shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetares.

“KSHM e dënon me focë këtë gjuhë dhe qendron përkrah gazetares Glidona Daci dhe kolegëve të tjerë të sulmuar. Gjuha denigruese dhe kërcënuese, që synon të frikësojë sidomos gazetaret, duhet jo vetëm dënuar, por dhe ndjekur ligjërisht,” deklaroi Këshilli Shqiptar i Medias.

KSHM i bëri thirje institucioneve ligjore ta trajtojnë rastin me seriozitetin e duhur dhe aktorët politikë të distancohen ndaj dhunës së gazetarëve për shkak të punës së tyre.

Gjithashtu shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” shprehu solidaritet duke dënuar njëkohësisht sulmet dhe gjuhën e urrejtjes.

Dënojmë me forcë sulmet denigruese ndaj koleges së Klan News Glidona Daci, si një sjellje e papranueshme, që synon intimidimin e saj, e ngjashëm ditët e fundit edhe të kolegëve të saj, teksa janë duke bërë detyrën e tyre: informimin e publikut mbi çfarë ndodh nga aktualiteti në vend, e në rastin konkret nga drejtësia”, -thuhet në deklaratën e shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon sulmet targetuese ndaj grave gazetare

Në një reagim publik, edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënoi sulmet ndaj gazetares Glidona Daci.

“Sulmet me tipare gjinore që cenojnë integritetin dhe reputacionin e grave dhe vajzave në karrierën profesionale nxjerrin në pah dhe një problem të thellë të barazisë gjinore që pengojnë emancipimin shoqëror”, deklaroi Komisioneri.

Komisioneri kërkoi që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm se këto veprime fyese dhe diskriminuese janë gjuhë urrejtjeje dhe sanksionohen me ligj.

“Safe Journalists”: Gazetaria e pavarur nën sulm

“Safe Journalists” renditi një sërë rastesh që reflektojnë sulm ndaj medias kohët e fundit në Shqipëri, si rrjedhojë e zhvillimeve politike dhe arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.

Reagimi i Kryeministrit Rama ndaj BIRN më 11 shkurt duke e konsideruar “frëngji” dhe duke e akuzuar për shtrembërim të deklaratave të tij për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës dhe duke e paraqitur si një agresor është një nga rastet e renditura në komunikimin e “Safe Journalists”.

Po ashtu, një ditë më pas, kryeministri Rama vijoi kritikat ndaj medias mbi arrestimin e Veliajt.

“Duke i cilësuar debatet mbi arrestimin e Veliajt si pjesë e një “kënete politiko-mediatike” dhe duke i krahasuar diskutimet në media me ‘gjyqet e tregjeve mesjetare,’ ku akuzat hidhen në mënyrë arbitrare”, thuhet në analizën e “Safe Journalists”

Analiza rendit edhe reagimin e Veliajt pas arrestimit duke i konsideruar gazetarët që mbulonin arrestimin e tij “qenër” dhe duke i cilësuar studiot televizive si ‘studio të kafshimeve dhe jargëve”.

“Duke i hedhur poshtë mediat kritike si ‘kanale gjirizi,’ ai e paraqiti raportimin mbi rastin e tij si një fushatë shpifëse, duke forcuar më tej narrativën se gazetaria investigative nuk është një kontroll i pavarur mbi pushtetin, por një sulm i drejtuar politikisht,” shkruan më tej “Safe Journalists”.

Erisa Kryeziu

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *