Kryetari i PD, Sali Berisha ka premtuar zero taksa për 5 vite, për çdo emigrant të rikthyer në Shqipëri, që kërkon të ngrejë biznes.
Duke folur gjatë oprezantimit të programit qeverisës 2025-2029 për familjen, me ardhjen e demokratëve në pushtet, Berisha premtoi gjithashtu, kredi të buta dhe grante për shqiptarët e rikthyer, si e vetmja rrugë për të shpëtuar familjen shqiptare dhe zbrazjen e vendit.
“Shqipëria ka nevojë shumë për një politikë që të nxisë, të rikthejë qindra mijëra që janë larguar nga ky vend.
Po! Këta qindra mijëra shqiptarë qëjanë larguar nga ky vend, ka prej tyre që janë të kualifikuar, ka prej tyre që janë biznesmenë, sot shumë të suksesshëm në ato vende. Të tjerë studiues, shkencëtarë, ekspertë, specialistë.
Por shumica dërrmuese e tyre janë punëtorë, njerëz të thjeshtë, të cilët rrinë në ato vende sepse marrin një rrogë më të mirë, paguhet më mirë puna e tyre. Punojnë në bujqësi, punojnë në punë të rënda, ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Shqipëri.
Kursimet e tyre të kenë sukses në këtë vend.
Një periudhë prej 5 vitesh do jetë pa taksa.
Por nuk përbën vetëm kjo një masë për kthimin e tyre të butë në Shqipëri. Jo, duhen një seri masash të tjera.
Duhen kredi të favorshme, duhen grante për start-upet e tyre. Pra, në qoftë se në vitet 2009-2013 u rikthyen rreth 180 mijë emigrantë, ne duhet të bëjmë gjithçka për një përmbysje të shpejtë të situatës aktuale që të fillojë rikthimi i tyre.
Programi në këtë fushë, ose suksesi i programit tonë në këtë fushë, është dhe barometri më kryesor i arritjes së objektivave të qeverisë sonë të ardhshme.
Por nga ana tjetër, fitorja e 11 majit është e një rëndësie jetike vendimtare pikërisht për të shpëtuar familjen shqiptare dhe zbrazjen e këtij vendi në mënyrën më të paimagjinueshme.
Edhe kombet e tjera jetojnë me diferenca nga kombet e pasura, edhe ato kanë të njëjtat standarde për lëvizjen në Europë, por asnjë komb si ne nuk po pakësohet, nuk po shkretohet në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Është vendimtare që kjo periudhë gjer në zgjedhje, në emër të këtyre vlerave që besojmë, të familjes shqiptare dhe shpëtimit të saj, të bëjmë gjithçka me shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë vendit, që 11 maji të jetë ditë e një fitoreje historike”, u shpreh Berisha