Berisha: Rama s’flet kurrë për familjen! Ne do bëjmë që familja shqiptare të jetë krenaria e kombit!

Kryetari i PD, Sali Berisha duke folur mbi programin qeverisë së demokratëve në 4 vitet e ardhshme me marrjen e pushtetit, garantoi përpara shqiptarëve, se familja do të jetë krenaria e kombit.

Sipas Berishës, Rama dhe kabineti i tij nuk ka folur kurrë për familjen, madje disa terma i kanë hequr nga fjalori zyrtar.

“Është quajtur historike fitorja e vitit 1992. Por iu garantoj se më historike, në raport me qenien tonë kombëtare, është fitorja e 11 majit.

Ju jeni dëshmitarë, këto ditë se në ç’gjendje ndodhet vendi, çfarë makinerie gjigante mashtrimi dhe manipulimi ka krijuar narkoshteti dhe regjimi i tij.

Një njeri, i cili i thotë qytetit se kam mbjellë 1 milion pemë dhe nuk ka mbjellë gjithsej 10 mijë të tillë, por ka marrë paratë e fidanëve.

Një njeri, i cili i thotë qytetit ‘unë do të pastroj dhe do të bëj model se do i djeg plehrat në djegësin’ dhe shpenzon 130 milionë euro dhe djegësi nuk ekziston.

Një njeri, i cili ka përdorur një model vjedhje që asnjë nga ne që jemi këtu, nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë, formati 5D, që fitonin drejtorët tenderat e bashkisë.

Ky njeri, që ka 2 vjet që duhej të ishte i dënuar të paktën 60 vite për këto që ka bërë, dhe tani ngrihen të gjithë ata që ky i ka shpërblyer me paratë e qytetarëve të Tiranës, ngrihen të gjithë ata që kanë vjedhur me të, rrethojnë gjykatën, rrethojnë prokurorinë…

Absolutisht u kërkoj të ndiqni, të ktheheni dhe të shihni filmin e viteve ’80, kur Eskobari rrethon gjykatën. E dyta herë në histori që shteti rrethon gjykatën.

Dhe, shikoni çfarë, rroftë Skapi, poshtë Skapi.

Dhe, Berisha tha do shkrijmë Skapin.

Mor miq, po një prokurori politike është prokurori e diktaturave.

Një prokurori politike është armike e egër e lirisë, pavarësisht, po qe prokurori politike, ajo është rrezik i madh për lirinë e të gjithë shqiptarëve.

PD ia doli, Skapin që Edi Rama e mban si dekoratë, e ka damkosur me tre rezoluta ndërkombëtarë si prokurori të mirëfilltë politike.

JD Vance u shpreh haptas, arrestoni oponentët politikë dhe liderin e opozitës, arrestoni gazetarë. A nuk kanë ndodhur këto në Shqipëri të gjitha?

Pra, u ndala në këtë moment për të theksuar se çfarë manipulimi.

A i dëgjoni ndonjëherë mediat e qeverisë që të flasin për familjen? A e dëgjoni ndonjëherë Edi Ramën të flasë për familjen? A i dëgjoni ato ministre, që unë për definicion duhet t’i respektoj, të flasin për familjen shqiptare? Asnjëherë! E kanë hequr fjalën familje.

Janë disa terma që janë zhdukur nga fjalori zyrtar.

Ndaj dhe ne do ta rikthejmë me forcën më të madhe.

Do bëjmë që familja shqiptare të jetë krenaria e kombit shqiptar.

Do të bëjmë që fëmijët e një familje shqiptare, ëndrrën shqiptare ta bëjnë realitet në Shqipëri dhe kjo është garancia më e madhe se ky vend ka të ardhme dhe do ketë të ardhme”, u shpreh Berisha.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *