Pas arrestimit të Veliajt/ PS gati ndërhyrjet në drejtësi

Në kulmin e debatit politik për fatin ekzistencial të prokurorisë së posaçme, arkitektit i reformës në drejtësi riaktivizoi komisionin e posaçëm antikorrupsion.Fatmir Xhafaj njoftoi publikisht që e ka gati draftin për ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, një dokument që mbetet ende në qarkullim të brendshëm mes anëtarëve të Komisionit parlamentar ku opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë.

Pohimi vjen në një kohë debati të ndezur pas arrestimit të numrit dy të mazhorancës, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa nën hetim është edhe kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Busha, e cila në dy mbledhjet e drejtuar nga Xhafaj këtë të mërkurë, u shfaq vetëm 10 minutat e fundit.

Teksa socialistët duken të vendosur të restaurojnë ngrehinën e drejtësisë të ndërtuar në 2016, derisa sa të shkojnë tek Rruga e Trenit, siç i referohet kryeministri Rama selisë së SPAK, mazhoranca ka gati disa propozime.

Për artikulimin e tyre publik, u shfrytëzuan ekspertët e kontraktuar nga Komisioni Xhafaj, që hodhën idenë e një organi të ri antikorrupsion, çka mund të çonte deri në shkrirjen e ILDKPI-së.

Për t’i dhënë një rol edhe Kuvendit në luftën kundër korrupsionit politik, hidhet ideja e një ligji të posaçëm si dhe ngritja e një komisioni të përhershëm në Kuvend.

Të majtët mendojnë ta shtrijnë masën e tyre antikorrupsion edhe në sektorin privat, duke propozuar një auditim të brendshëm të detyruar për bizneset.Financimet e partive politike gjatë fushatave elektorale janë gjithashtu një problem i konstatuar nga ekspertët të cilët propozojnë sanksione për mosdeklarimin e fondeve, apo forcimin e masave kontrolluese për reklamat politike në rrjete sociale. (A2 Televizion)

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *