SPAK, Edi Rama dhe sindroma ‘e kafes së Nexhmijes’

Nga Ndriçim Kulla

Po përflitet shumë arrestimi i Erion Veliajt si sukses i madh i SPAK për të cilin ai duhet duartrokitur. Ka të tjerë që në ekstazë e shpallin SPAK heroin dhe patriotin e Shqipërisë. Por më e keqja janë ata analistë të  qenërisë mediatike të pushtetit dhe majtistët e thekur që përqeshin opozitën duke anatemuar veprimet e SPAK vetëm në favor të drejtësisë së dirigjuar. Hë, çfarë do të thoni tani për Spak, a është ai përsëri me dy standarde siç keni thënë më parë? Si fillim dua t’iu përgjigjem duke thënë se dënimi i Veliajt ishte shpagimi i atyre muajve të tërë rresht proteste të popullit të zemëruar të Tiranës në derën e Bashkisë së tij të stërkorruptuar. Po, kësaj here pati prokurorë të ndershëm e kurajozë që e çuan deri në fund hetimin. Vetëm se për të dhënë një gjykim përfundimtar, do të doja të vendos si primare idenë se Spak është krijuar që nëpërmjet individëve të korruptuar të luftojë gjithë sistemin.Regjimet nuk bien duke i goditur udhëheqësit e vet tërthorazi ose vetëm ne një kah, por duke goditur thelbin e tyre, kokën që i lidh gjithë fijet e sistemit. Për të shpjeguar këtë parim le të sjellim ndërmend një episod të viteve të para të tranzicionit, kur drejtësia e re u përpoq të dënonte një eksponent të regjimit të tmerrshëm komunist. Po sa qesharake dhe e neveritshme ishte asokohe dënimi i Nexhmije Hoxhës, gruas së diktatorit, se kishte harxhuar kafe më shumë se sa duhet, në vend që ajo të dënohej per thelbin e veprimtarisë së saj, si pjesëmarrëse bashkë me Enverin, në krimet e diktaturës që ata krijuan për popullin shqiptar. Një gjë e tillë po duket të ndodhë edhe me Spak, edhe ai me dënimin e fundit tregoi se vuan nga ajo që unë po e quaj sindroma e “kafes së Nexhmijes”. Për publikun mund të duket më goditëse, më e bujshme dënimi për qindra mijëra brekë e bizhu e për ca vila, por tek e fundit ato janë asgjë, janë hiç krahasuar me dënimin e vërtetë që duhet të merrte Veliaj: për inceneratorin e Tiranës dhe skemën e tmerrshme 5D. Këto janë skandalet më të mëdha sistemike që ai ka krijuar në zemrën e regjimit që na ka imponuar Edi Rama në këtë dekadë. Pse vallë ai u kursye për këto afera të tmerrshme korruptive, pse vallë po dënohet për gjëra të tërthorta që s’kanë lidhje me thelbin? Ciniku afër meje do më thoshte: ti nuk kënaqesh me asgjë, as me dënimin, çfarë të duhet arsyeja, a është në burg? Jo, qëllimi im dhe i gjithë shqiptarëve nuk është dënimi për dënim, por dënimi për të shkatërruar sistemin korruptiv, që regjimi i Edi Ramës ka ndërtuar, duke përdorur shokun dhe aleatin e vet më të ngushtë të Rilindjes, Erion Veliajn. Le të japim edhe disa shembuj të tjerë sjelljes së SPAK, për të kuptuar si funksionojnë dënimet e tij.

Pse vallë, duke filluar që nga Koka e Bllako, e më së fundi te Beqja, askush nuk është dënuar për krimin e tyre real. Ja, psh, edhe sot Beqja pret të dënohet për ca pare të BE, jo për thelbin e tij korruptiv, koncesionet qindra milionë dollarë të sterilizimeve. Jo më kot e përdor pjesëzën “ca” në të gjitha këto raste, pikërisht për të nënvizuar faktin se dënimi i tyre është jo faktik, është asgjë, është si “kafja e Nexhmijes” përpara fakteve për të cilat ata duhet të ishin dënuar

Dhe faktet e vërteta, dënimet e tyre reale, të cojnë që të gjitha te kreu i regjimit, te Edi Rama. Askush nuk mund të organizonte brenda një dite firmosjen nga të gjithë ministrat, të letrës që i hapte udhë inceneratorit të Fierit. Askush, as Beqja, as Veliaj,as Ahmetaj nuk mund ti firmoste i vetëm koncensionet dhe ineratorin, ashtu si Tahiri nuk mund ta kanabizonte Shqipërinë i vetën, pa urdhrin e Ramës. Ja, pse Spaku, përderisa nuk i shkon deri në fund të gjitha proceseve që kanë dënuar këta njerëz, për të gjetur hallkën e tyre lidhëse dhe për të dënuar njeriun real të të gjithë këtyre skandaleve, vetë Edi Ramën, ne nuk mund të jemi të kënaqur me dënimet e tij. Ne nuk mund të brohorasim për heronj që përdorin skemën e dënimit për dënim, sado të mëdhenj e të lartë të jenë personazhet, me qëllim që të mbrojnë sistemin, regjimin korruptiv dhe kreun e tij. Mjafton që të mos dënohet Edi, pa gjithë të tjerët nuk ka rëndësi. Ja, kjo është arsyeja që drejtësia e SPAK edhe ndaj Veliajt, duket e dobët, jo thelb goditëse, jo sistem shkatërruese, në një kohë kur dosjet e tij të mëdha janë mbyllur ose anashkaluar pa dënim. Derisa të veprojë me sindromën e “kafes së Nexhmijes”, Spak nuk do të ngjitet kurrë në lartësinë e asaj që pret populli, e kurrë ndonjëherë do prekë altarin e suksesit që i predikon vetes. Përndryshe, do na duhet të durojmë fyerjet e rëndomta ” të pordhëve me erë” të akuzuarave, që shpërhap qenëria e mediave të inceneratorëve me Top Chanel në krye. Dhe aq më keq të na fyejnë pacipërisht britmat e një kukumjaçke sorosiane, si Delina Fico, që i hakërrehet padrejtësisë së SPAK dhe i kërkon turpit të mbajë kokën lart. Ja, pse gjithkush duhet ta kuptojë se SPAK nuk po bën detyrën deri në fund, por po fsheh krimet reale, vetëm për të shpëtuar Ramën dhe për ti dhënë zemër qenërisë së fëlliqur të mediave të tij të bërtasin e ulërasin për drejtësi. Kjo është steka ku duhet të ngjitet SPAK, po se kapërceu këtë sindromë që e ka gjet gjithë këto vite, nuk do ngjitet kurrë në fronin  e heroit dhe nuk do ti meritojë kurrë duartrokitjet tona. Ai duhet të ndahet përfundimisht nga veprimet e diktuara nga trekëndëshi famëkeq Blinken- Dumani-Rama, që i përkasin Amerikës se shkuar. Urojmë që Amerika e administratës Trump të hapë një erë të re edhe për SPAK, që të na bëjë të themi se ky është një SPAK krejt tjetër nga SPAK-u i Sorosit dhe Blinken, me dënimet e tmerrshme vetëm ndaj opozitës. Urojmë që dënimi i Veliajt të jetë fillimi i dënimit të Ramës e sistemit të tij, përndryshe edhe këto zgjedhje që po afrojnë, do të jenë të paracaktuara.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *